Pacolli nderohet me “Honoris Causa”

(E plotësuar) Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, në një ceremoni solemne, u nderua sot me çmimin “Honoris Causa” në Universitetin Evropian të Tiranës.
Në ceremoni ishin të pranishëm Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ish-presidentët Alfred Moisiu e Rexhep Meidani, ministra të Qeverisë së Shqipërisë e të Qeverisë së Kosovës, profesorë, studentë e mysafirë të tjerë të shumtë.
Fjalimi që Presidenti Pacolli embajti pas nderimit me çmimin prestigjioz:
E nderuara Presidentja Dobi,
I nderuar senat akademik i Universitetit Evropian të Tiranës,
I nderuari Presidenti Topi, miku dhe vëllai im,
Të dashur presidentë Moisiu dhe Meidani,
I nderuar ministër i Arsimit,
Të nderuar studentë,
Miq të tjerë,
Dua të më besoni fuqimisht kur them se jam shumë i prekur, shumë i emocionuar ndërsa marr këtë titull nderimi akademik prej Universitetit tuaj.
Kam mësuar shumë rreth Universitetit Evropian të Tiranës. Kam mësuar se ai lindi si një iniciativë studiuesish të rinj që vinin nga Perëndimi dhe shumë shpejt është shndërruar në një qendër të rëndësishme mendimi, debati akademik, politik dhe shoqëror në Shqipërinë tonë.
Ndaj e vlerësoj posaçërisht nderimin tuaj, sepse ai është i pari në llojin e vet për mua; sepse ai vjen prej vendit tim, që unë e dua shumë; sepse ju pa neglizhuar asgjë, keni vendosur të më nderoni për aktivitetin tim njerëzor në çdo fushë.
Dhe me këtë rast të lumtur unë dua të them diçka.
Unë jam bir i Marecit, i njërit prej katundeve më të mëdhenj të Kosovës. Prej ku kam lindur unë dhe deri ku shtrihej horizonti, ishte Mareci. Jam mësuar që i vogël me horizont të gjerë.
Majtas, apo djathtas, në jug apo në veri, unë shihja larg dhe nuk i gjeja fundin largësisë që rrokte syri im. Kështu e kam parë gjithmonë botën edhe kur u rrita, megjithëse s’isha më në Marec, por atje lashë qendrën e botës.
Jam nisur nga Kosova për të gjetur fundin e sferës. Në Kosovë lashë fillimin dhe gjeta fundin e sferës që ishin bashkë. Dikush thotë se njeriu bredh gjithë botën për të kërkuar diçka që i nevojitet dhe më në fund kthehet ta gjejë në shtëpinë e vet. Kjo është forca tërheqëse e atdheut.
Që në fillim të jetës kur nisa të kuptoja nga bota, unë pata fatin të kisha një prijës shpirtëror, gjyshin tim Osman.
Ai më mësoi të bëhesha i pari në mësime; të isha bujar dhe t’i gëzohesha vizitës së miqve.
Të doja kafshët, natyrën, por mbi të gjitha t’i doja shumë njerëzit. Sipas profecive të tij, dikur do t’ia dilja të udhëtoja me ballon dhe të takoja shumë burrështetas. Me ballon kam udhëtuar. Burrështetas kam takuar dhe do takoj akoma. Jeta ime derisa isha më i ri, i ka ngjarë shpërhapjes së një vije uji, krijuar nga një gur që hidhet në mes të një liqeni. Ajo merr formën e rrathëve bashkëqendrorë që sa vijnë e zgjerohen.
Në rrethin e parë të udhës sime jetësore ka qenë shkollimi fillor në Marec, Normalja dhe Gjimnazi në Prishtinë, ku mësova konceptet e para të shëndosha të dijes, frëngjishten dhe pjesë të latinishtes që i kam aktive dhe sot. Prej pabarazive shoqërore të asaj periudhe mora stimuj të fortë që më shërbyen shumë për të çarë rrugën e përbotshme të jetës sime.
Në rrethin e dytë të udhëtimit tim jetësor janë studimet universitare në Hamburg dhe studimet master në Zyrih. Punoja dhe studioja shumë. I kam të gjalla si tani kërkimet për temat përfundimtare në këto studime. Në të dy këto tema, pati risi, pati qasje kreative, pati shikim larg, përtej një punimi rutinor që mbyll studimet diku.
Ndërsa merresha me tregun, dhe magjinë e tij u përqendrova në rëndësinë që ka origjina e mallit për çmimin dhe përfytyrova globalizmin. Shumë herët ama. Në 1976.
Ndërsa mundohesha të kuptoja preferencat e klientëve në një kërkim tregu, e vura gishtin në rëndësinë e vendit ku bëhet sondazhi për rezultatin e tij.
U bëra ithtar i tregut global, i tregut të lirë dhe renda nëpër të, nga Lindja në Perëndim në rrethin tim të tretë të udhëtimit njerëzor, në biznes.
Edhe në këtë udhëtim krijova dhe shijova frytet e krijimit tim. Krijova një formulë prodhimi tekstilesh, unikale për mbarë botën, ku informatika pati rol kryesor. Për herë të parë në një vend të madh futa teknikën tredimensionale në paraqitjen e projekteve arkitekturore dhe në këtë rreth të tretë u ndala në ndërtim. E gjeta veten në këtë zeje të lashtë njerëzore, pse kështu mund t’i kontribuoja më mirë brezave në të gjithë kohërat. E dija ç’ishte tregtia, por zgjodha të ndërtoj.
Rrethi i katërt i udhëtimit tim njerëzor ishte filantropia. Mora mësime të thelluara të bujarisë njerëzore nga një humaniste si Nënë Tereza. E vizitova atë menjëherë sapo bota filloi të fliste rreth saj- në 1979-ën e largët. U mundova ta lehtësoj vuajtjen njerëzore, të liroj pengjet e luftërave të padrejta, të ndihmoj qytetarët e mi të dëshiruar për ndihmë.
Rrethi i pestë i rrugëtimit tim ishte lobimi i pandalshëm nëpër botë, për të arritur tek shpallja e pavarësisë së vendit tim dhe më pas që shtetet e ndryshme ta njihnin atë.
Rrethi i fundit i endjes sime ishte politika, ku ofrova pajtim, ide zhvillimi dhe paqe. Sot jam President i Kosovës. Jam betuar që do t’i shërbej vendit tim me përkushtim.
Do të çoj para amanetin e heronjve të pavarësisë;
Do çoj para idealet e pasardhësit tim të ndritshëm, babait themelues të pavarësisë së Kosovës, Ibrahim Rugovës.
Më vjen shumë mirë që ju miq të nderuar të botës akademike të vendit tim, keni kuptuar se unë në jetën time, siç thotë Ruzvelti, kam bërë gjithçka kam mundur. Me çfarë kam patur. Kudo që kam qenë.
Kështu në formën e rrathëve bashkëqendrorë unë i jam sjellë përqark botës. Rrathët e krijuar nga hedhja e një guri në ujë siç dihet kanë një qendër të përbashkët: atje ku bie guri!
Unë këtë fazë të jetës sime dua t’i ngjaj gurit.
Ku rëndon më shumë guri? Në vendin e vet!
Dhe diçka tjetër krejt për fund.
Ndërsa një qytet si Lezha, e njohur për besëlidhjen e Skënderbeut, për bashkëjetesën fetare mes tre feve, më nderoi me titullin Qytetar nderi, unë nisa të përdor një shprehje latine: “nemo propheta in patria sua”: askush nuk të bën profet në atdheun tënd!
Ishte shprehje e emocionit dhe vlerësimit që ndieja për titullin e lartë që ma dha për herë të parë një qytet i Shqipërisë dhe jo i Kosovës.
Dikush më qortoi se u paskësha vetëquajtur profet.
Sot ju, një universitet i shquar i vendit tim, i vendit tuaj, po më nderoni për herë të parë me titullin Doktor nderi, të parin në historinë e universitetit tuaj të ri, dhe të parin për mua.
Dua ta korrigjoj shprehjen latine.
Profet s’jam, as dua të bëhem, se jam tokësor.
Si njeri i tokës, i falem atdheut.
Atë e kam në Kosovë, por dhe këtu.
Më herët, Presidenti Behgjet Pacolli vendosi kurora lulesh dhe bëri homazhe para Monumentit “Nënë Shqipëri” në Tiranë.
Vendosja e kurorave u përcoll me ceremoni shtetërore nga Garda e Republikës, ndërsa Presidenti u shoqërua nga komandanti i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë, Ndrea Prendi dhe nga anëtarët e delegacionit të Kosovës, që e shoqërojnë atë në vizitë.
Pacolli falënderon Metën për njohjet e Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta zhvilloi sot një takim me Presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Gjatë takimit, Meta uroi Pacolli për zgjedhjen e tij në postin e Presidenti të Kosovës dhe shprehur konsideratat më të larta për të.
Lideri i LSI-së shprehu mbështetjen maksimale për qeverinë e re të Kosovës dhe vlerësoi procesin e njohjeve të reja të Kosovës si një proces të pandalshëm.
“Ishte një kënaqësi për mua edhe për kolegët e mi të Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’u takuar sot me Presidentin e ri të Kosovës, Behgjet Pacolli për t’i uruar dhe nga afër suksese në këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe impenjative”, tha Meta.
“Unë besoj se kjo detyrë e re dhe shumë e lartë është një mundësi e shkëlqyer edhe për vetë Presidentin Pacolli për të çuar akoma më tej edhe kontributin e tij, i cili ka qenë mjaft i ndjeshme edhe më parë në procesin e njohjeve të Kosovës, pasi konsolidimi i pozitës ndërkombëtare të Kosovës është një prioritet i jashtëzakonshëm ashtu sikurse vizioni i tij për ekonominë besoj se do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve sikurse ai u shpreh dhe dje në Kuvendin e Shqipërisë", tha Meta
Presidenti i Kosovës Behgjet Pacollit e ka cilësuar të rëndësishëm takimin e kreun e LSI-së.
“Ishte një takim i rëndësishëm për mua. Takimi me mikun tim të veçantë Ilir Meta, të cilin e njoh, kam pasur marrëdhëniet të mira me të, do të mbajë marrëdhënie të mira me Meta edhe në të ardhmen”, tha Pacolli.
Me tej ai shtoi për kreun e LSI-së: “Është një njeri që ka dhënë një kontribut shumë të madh për afirmimin e shtetit të Kosovës. Ka punuar shumë për njohjet që kanë ndodhur për Kosovën dhe mund t’iu them se ka lënë shumë punë të pakryera ende për shkak të mungesës së kohës. Dhe unë sot e luta mikun tim Ilirin, që krejt këtë bagazh që ka mbetur pa u kryer, që të vijë në Kosovë dhe të na ndihmojë ne”.
Pacoli tha se e vlerësojmë çdo gjë që Meta ka bërë për afirmimin e shtetit të Kosovës në të shkuarën. Jam i bindur se ky aktivitet do të vazhdojë edhe më tutje. /abcnews/
President Pacolli takon drejtuesit e PDIU-së
Presidenti i Kosovës, Bexhet Pacolli, gjatë vizitës zyrtare që po zhvillon në Tiranë, ka takuar sot kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, njofton shërbimi për informim i kësaj partie.
Gjatë bisedimit, ku merrnin pjesë edhe Presidenti i Nderit, i PDIU-së, z. Tahir Muhedini dhe kryetari i degës së PDIU-së Tiranë, Abas Hado, bashkëbiseduesit folën mbi rëndësinë e një bashkimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke njësuar tregun e dy vendeve dhe duke hequr të gjitha barrierat ekonomike. Sipas njoftimit, Idrizi përshëndeti fjalimin e Presidentit të Kosovës në Kuvend, që ishte në përputhje të plotë me Komunuellthin Ekonomik Mbarëshqiptar, të propozuar nga PDIU.
“Ne mendojmë se krijimi i një tregu të përbashkët, është një përqasje realiste e çështjes tonë kombëtare”, ka thënë Idrizi. “Ne përshëndesim thirrjen e Presidentit Pacolli drejtuar dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për krijimin e kushteve të nevojshme ligjore që të hiqen të gjitha barrierat ekonomike mes dy vendeve”.
Idrizi shtoi se çështja kombëtare, është një çështje që përqas të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike dhe u zotua se do të përkrahë dhe do të iniciojë nismat e nevojshme që do të mundësojnë realizimin e Komunuellthit Ekonomik Shqiptar.
Nga ana e tij, presidenti kosovar theksoi se njësimi i tregut, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe mes shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë është një nevojë e ditëve të sotme, si edhe i uroi sukses Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në betejat e saj të ardhshme.
“Sot pata një takim me mikun tim Shpëtim Idrizi, me të cilin biseduam rreth nevojës së zhvillimit të një tregu të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe në të ardhmen, zgjerimin e këtij tregu edhe me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës” – tha Presidenti Pacolli, duke vlerësuar punën e zhvilluar deri më tani nga PDIU.
Gjithashtu, z. Idrizi e njohur bashkëbiseduesin me arritjet e PDIU-së, në çështjet kombëtare, mbi çështjen çame, si një problem që duhet zgjidhur dhe mbi nevojën e një politike kombëtare për diasporën.