Padi civile n� gjykat�n e Tiran�s p�r ��shtjen �G�rdeci�

Kërkesë-paditë për dëmshpërblim të ngritura nga Avokatura e Shtetit dhe familjarë të viktimave të ngjarjes së "Gërdecit" do të shqyrtohen në një proces civil në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë. Ky vendim u mor sot nga Gjykata e Lartë, e cila i ka deleguar këto kërkesë-padi për shqyrtim në Gjykatën e Tiranë. Kolegji Penal i kësaj Gjykate vlerësoi se paditë civile duhen të shqyrtohen në një proces civil, të ndarë nga procesi penal i çështjes "Gërdeci", që numëron 29 të pandehur. Gjykata e Lartë çmoi se shqyrtimi së bashku i këtyre çështjeve do të vështirësonte së tepërmi procesin gjyqësor. Një ndër argumentet e kësaj Gjykate ishte ai për ndërrmarjen e shumë ekspertizave për shqyrtimin gjyqësor të kërkesë-padive, pasi bëhet fjalë për një ngjarje ku kanë humbur jetën 26 persona si dhe janë shkaktuar dëme të shumta materiale.
Një seancë më parë, përfaqësues të familjarëve të viktimave kërkuan shqyrtimin e dy padive civile për dëmshpërblimin e tyre gjatë procesit penal për çështjen "Gërdeci". E njëjta kërkesë u parashtrua dhe nga përfaqësuesit e Avokaturës së Shtetit, të cilët bënë prezent padinë e ngritur ndaj firmës "Alba Demil" të Mihal Deliorgjit, për dëmshpërblimin e shtetit. Si pasojë e shpërthimit më 15 mars të vitit 2008 në ish- fabrikën e demontimit të municioneve luftarake, në fshatin Gërdec, Tiranë, që zotërohej nga firma "Alba Demil" humbën jetën 26 persona, shumë të tjerë u plagosën ndërsa u shkaktuan dëme të shumta materiale në banesat dhe bizneset e zonës përreth. Për këtë ngjarje, nga Prokuroria e Përgjithshme janë marrë me përgjegjësi penale 29 persona, ish- funksionarë të lartë të ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, ndër të cilët ish-ministri, Fatmir Mediu.
...