E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, përzgjedhja për vendin e punës do të bëhet me testim

Bluzat e bardha do të vlerësohen me kreditet e marra nga provimi. Ky sistem do të shërbejë për të përcaktuar vendin e punës dhe pagën që meritojnë

Emanuela Sako

Mjekët duhet t’i nënshtrohen testit për të matur aftësitë e tyre profesionale dhe për t’u punësuar. Ky është kushti i
klasifikimit të mjekëve që do të punësohen në institucionet shtetërore për të ushtruar profesionin e tyre sipas profilizimit përkatës. Kjo gjë po kërkohet me ngulm nga specialistët e shëndetësisë, të cilët kërkojnë që të masin nivelin profesional të mjekëve nëpërmjet testimit. Pas deklaratës së ministres së Shëndetësisë për vlerësimin e mjekëve nëpërmjet krediteve të marra nga kurset e specializimit, Urdhri i Mjekut kërkon që ky testim të jetë më i gjerë. Kështu, të gjithë mjekët e rinj duhet t’i nënshtrohen një testimi që duhet të hartohet nga specialistët e MSH-së. Kjo mënyrë bëhet për të shmangur mjekët e paaftë dhe vendosjen e mjekëve më të kualifikuar në punë. Testimi që ka pak javë që ka nisur të aplikohet është testimi i mjekëve nëpërmjet krediteve të marra nga kurset apo trajnimet e ndryshme.
Përzgjedhja
Deri tani ka munguar vlerësimi me kredite që duhej t’u bëhej të gjithë mjekëve, në fund të trajnimeve, kurseve apo testimeve të posaçme për ta. Rregullat e reja përcaktojnë që mjekët që do të marrin pjesë nëpër trajnime apo kurse, që njihen nga Ministria e Shëndetësisë, do të pajisen me një certifikatë ku do të shënohen edhe pikët e marra gjatë trajnimit. Mjekëve do t’u njihen pikët e marra për të bërë vlerësimin e pranimeve në punë. Përveç testimit të parë që u bëhet mjekëve nëpërmjet mesatares së diplomës së universitetit dhe më pas specializimeve të ndryshme, tashmë do të vendoset edhe mënyra e vlerësimit nëpërmjet krediteve të marra në trajnime. Në këtë mënyrë do të mund të punësohen mjaft mjekë që punojnë në rrethet e largëta të vendit. Këta mjekë janë të distancuar nga trajnimet e shumta të mjekëve që bëhen në kryeqytet nëpërmjet MSH-së apo shoqatave të ndryshme mjekësore.
Situata
Për të shmangur nivelin e ulët profesional të mjekëve dhe punësimin e mjekëve më të aftë, specialistët kërkojnë që t’u nënshtrohen testimeve të ndryshme. Përveç testimit, MSH-ja ka deklaruar se do të punësojë të sapodiplomuarit në rrethet nga kanë ardhur. Nëpërmjet kësaj mënyre, ky institucion synon rritjen e nivelit të shërbimit shëndetësor edhe në rrethe. Në pjesën dërrmuese të spitaleve të rretheve mungon personeli mjekësor i kualifikuar. Për shmangien e kësaj situate, MSH-ja po harton një projektligj për punësimin e studentëve të mjekësisë dhe plotësimin e nevojave që ka në spitalet e rretheve. Për më tepër mjekët në rrethet e vendet janë më të distancuar nga kurset apo trajnimet e shumta. Prandaj MSH-ja kërkoi pak kohë më parë trajnim të vazhdueshëm edhe për këtë kategori. Për këtë pjesë të sistemit mjekësor në vend janë më të rëndësishme pjesëmarrjet në këta takime ku shkëmbehen eksperiencat dhe lëvrimet më të fundit në fushën e mjekësisë.

Gecaj: ”Të shtohen pikat e shërbimit të urgjencës në Tiranë”
Kryeqytetit duhet t’i shtohen disa pika shëndetësore ose qendra të urgjencës për të dhënë ndihmën e menjëhershme në rastet e aksidenteve apo të sëmundjeve të ndryshme. Drejtori i ASHR-së, Mhill Gecaj, sqaroi se është e nevojshme ngritja e këtyre qendrave përderisa numri i popullsisë dhe zgjerimi i kryeqytetit po vjen duke u shtuar. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë do të mund të shmangeshin një numër vdekjesh. Për këtë arsye, organizimi dhe funksionimi i Urgjencës së Tiranës duhet të shkojë drejt rajonalizimit të dhënies së shërbimit shëndetësor. Shtrirja e madhe gjeografike e rajonit të Tiranës, që mbulon me shërbim kjo urgjencë, por dhe shtimi i popullsisë në numër, e bën të pamundur dhënien e ndihmës në kohë dhe me cilësinë e duhur qytetarëve. Drejtori i ASHR-së u shpreh se konceptimi i organizimit të urgjencës duhet të ndryshojë, duke shkuar drejt rajonalizimit në marrjen e këtij shërbimi shëndetësor, gjë që lidhet me vetë rëndësinë që ka ky shërbim. Organizimi i shërbimit të Urgjencës me ekipe shërbimi të ndarë në disa rajone të Tiranës është një ndër propozimet e ASHR-së për ngritjen dhe përmirësimin e dhënies së këtij shërbimi shëndetësor. “Nëse ne do të kemi një urgjencë në rrugën Ndroq –Tiranë, apo një shërbim të rajonalizuar, për shembull një pikë në Kombinat, atëherë shërbimi do të ishte më i shpejtë dhe garancia për të shpëtuar jetë më e madhe”, - u shpreh Gecaj. Aktualisht, Ministria e Shëndetësisë po punon për këtë projekt, duke mundësuar rajonalizimin e Urgjencës jo vetëm për Tiranën, por edhe për rajonet e tjera të vendit. Ndërkohë, për mirëfunksionimin e punës në këtë shërbim të Tiranës, janë të domosdoshme ambiente të përshtatshme, të reja apo të rikonstruktuara të atij ekzistues, por dhe furnizimi me ambulanca të reja etj. Shtimi i autoambulancave të pajisura mirë dhe me staf të kualifikuar për të dhënë ndihmën e shpejtë është i domosdoshëm. Sipas tij, është e domosdoshme që të bëhen trajnime dhe kualifikime për personelin, që do të thotë persona të trajnuar për të dhënë ndihmën e shpejtë, të cilët mund dhe të mos jenë mjekë, si në shumë vende të Bashkimit Europian. Për personelin e shërbimit të urgjencës janë kryer herë pa here trajnime të ndryshme, si vitin e kaluar në Spille me asistencën ndërkombëtare, ai për dhënien e ndihmës së shpejtë për traumën e rëndë, muajin e kaluar në bashkëpunim me rajonin e Piemontes në Itali. ASHR-ja gjatë vitit të kaluar ka mundësuar pajisjen me mjetet e domosdoshme të Urgjencës si oksigjen, medikamente, çantat e urgjencës, me EKG, defibrilator, fenelina dhe shumë pajisje të tjera, të domosdoshme për këtë shërbim. Gjithashtu, është hartuar rregullorja e brendshme për funksionimin e Shërbimit të Urgjencës, e cila nuk kishte funksionuar më parë, Kodi i Etikës, etj. Urgjenca e Tiranës është e profilizuar në dhënien e ndihmës së parë për personat që kërkojnë ndihmën e menjëhershme si dhe merr pjesë në të gjitha emergjencat civile, që kanë nevojë për ndërhyrje mjekësore. Personeli mjekësor në Urgjencën e Tiranës ka 27 mjekë, 21 infermierë, 2 sanitarë dhe 13 shoferë, të cilët janë në gatishmëri dhe shërbim 24 orë për të gjithë qytetarët e Tiranës, numri i të cilëve arrin në rreth 900 mijë.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›