E Diel, 1 Nëntor 2026

Lë spitalin 19-vjeçarja që kreu transplantimin e veshkës



Pacientja 19-vjeçare nga Korça, që kreu transplantimin e veshkës në QSUT, është larguar nga spitali duke qenë se është në gjendje të mirë shëndetësore. Matilda Gode lë pavijonin ku dy javë më parë iu nënshtrua të parit transplant të veshkës në QSUT. Mjekët japin garancinë se ajo gëzon shëndet të mirë, gjë që vërteton edhe suksesin e operacionit të rrallë të realizuar në QSUT. Sipas shefit të Shërbimit të Urologjisë, Mustafa Xhani, Matilda tashmë mund t’i rikthehet normalitetit. Një moment i veçantë ka qenë lënia e pavijonit për 19-vjeçaren, e cila dy javë pas transplantimit është ringritur në këmbë, duke plotësuar dëshirën e saj në një jetë më të shëndetshme. Bashkë me Matildën, është larguar nga ky pavijon edhe babai i saj, Ndreçi, i cili ishte dhuruesi i organit. Ai shprehet se ndien t’i ketë dhënë vajzës jetë të dytë. Ndërsa mjeku nefrolog Nestor Thereska ka deklaruar se pacientja me organ të transplantuar do të jetë për 6 muaj në ndjekje të vazhdueshme nga mjekët për të realizuar atë që njihet si trajtimi post-transplantimit, e cila konsiderohet si një periudhë shumë delikate dhe që nuk duhet neglizhuar. Ndërsa Shoqata e Pacientëve të Dializës ka kërkuar që në listën e pritjes për transplant të jenë personat që për vite me radhë i janë nënshtruar këtij procesi dhe ata që kanë probleme me veshkat në rast se konstatohet nga mjekët se veshkat e tyre kanë dalë jashtë funksionit. Kjo shoqatë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të sigurojë transportin për këta persona, të cilët paraqiten në spital tri herë në javë, si dhe pagesë për personat që i shoqërojnë.

7 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›