E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitje e xhelozi, dy të plagosur në Tiranë

 

Dy persona mbetën të plagosur gjatë 48 orëve të fundit në kryeqytet, si pasojë e ngjarjeve të ndodhura në fshatin Gosë të Kavajës dhe në autostradën Tiranë-Durrës. Burime zyrtare të policisë thanë se, Flamur Meçi, 20 vjeç, ka qëlluar me armë zjarri mbi 52-vjeçarin Latif Sokoli, duke tentuar ta vrasë atë. "Shërbimet e Komisariatit Kavajë kryen arrestimin në flagrancë të Flamur Meçit, 20 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në fshatin Prezë të Tiranës. Arrestimi i tij është bërë sepse mbrëmë rreth orës 22:00, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në fshatin Gosë, Latif Sokolin, 52 vjeç. Policia tha se i plagosuri ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën, ndërsa ngjarja, sipas hetimeve të para ka pasur si shkak xhelozinë. Policia tha se pas arrestimit të 20-vjeçarit Flamur Meçi, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e krimit, një pushkë model 56 (karabinë). Sipas burimeve zyrtare, nga verifikimet e deritanishme ngjarja është klasifikuar si "vrasje me paramendim" mbetur në tentativë, ndërsa i riu akuzohet edhe për "mbajtje pa leje të armëve luftarake". Pak orë më vonë, në autostradën Tiranë-Durrës policia ka regjistruar edhe plagosjen e dytë të ndodhur brenda 48 orëve. Shërbimet e Komisariatit të policisë nr. 6 në kryeqytet kanë marrë njoftimin se Ramadan Murati, 25 vjeç, banues në Domje, ishte plagosur me sende të forta në afërsi të zyrave të firmës "Met Enko" në autostradë. Burimet zyrtare të policisë thanë se për ngjarjen e ndodhur në autostradë janë arrestuar në flagrancë të dyshuarit Marsel Marku, 37 vjeç dhe Spartak Boshani, 36 vjeç, të dy banues në Tiranë. Sipas policisë, dy të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë plagosur me mjete të forta duke i shkaktuar dëmtime trupore Ramadan Muratit, roje i firmës private me zyra në autostradë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, dyshohet se autorët e plagosjes së rojës, në bashkëpunim mes tyre kanë  dëmtuar edhe xhamat e fasadës së kësaj firme. Sipas policisë, dy të arrestuarit dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve në zonën e autostradës, ndërsa po punohet për dokumentimin e këtyre ngjarjeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›