“Masa për dhomat e izolimit në kryeqytet”
TIRANE - Avokati i Popullit thekson se ambientet e izolimit të policisë së kryeqytetit janë jashtë standardeve, ndërsa kritikon mbajtjen në izolim të personave me masë arresti të padërguar në ambientet e paraburgimit. Kontrolli në gjashtë komisariatet dhe në drejtorinë e policisë, zbuloi se dhomat e shoqërimit nuk funksionojnë sipas "ligjit të ri për Policinë e Shtetit". Problematikat dolën në "shesh" nga një inspektim i ditëve të fundit i Avokatit të Popullit, kryesisht në dhomat e shoqërimit dhe të sigurisë së këtyre komisariateve. Menjëherë Dobjani i rekomandoi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençit dhe drejtorit të Policisë së Qarkut, Tonin Vocaj, marrjen e masave të menjëhershme për përmirësimin e situatës. Duke veçuar Komisariatin nr. 5, i cili sipas Dobjanit ishte përshtatur standardeve të kërkuara, Avokati i Popullit radhiste problemet e gjetura. "Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka vetëm dy dhoma shoqërimi, për femra dhe fëmijët, të cilat janë me kushte normale, por nuk ka dhomë shoqërimi për meshkujt", thuhej në raportin e Dobjanit. Ndërsa në Komisariatet nr. 2, 4 dhe 6 dhomat e shoqërimit kanë rezultuar të ishin me ndriçim natyral të kufizuar, të papastra dhe me dyer hekuri me shula dhe dryna.
Ndërsa kontrolli në dhomat e izolimit ka gjetur në Komisariatin nr. 4 dhoma nëntokë me shumë lagështirë dhe pa ajrim. "Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dy dhoma janë pa dritare e për rrjedhojë edhe pa ajrim", citonte Dobjani. Mjaft problematike është cilësuar nga Dobjani edhe mbajtja e personave me masë arresti në komisariate. Gjatë inspektimit janë gjetur 3 persona për të cilët ishte vendosur masa e arrestit "burg pa afat" nga gjykata dhe ata ende nuk ishin dërguar në ambientet e paraburgimit. "Nga biseda me drejtuesit e policisë u informuam se ky fenomen është prezent edhe për raste të tjera, sepse nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nxirren pengesa për mungesë vendi apo dokumentacioni, si p.sh., certifikata lindje etj.", thuhej në rekomandimin e dërguar krerëve të policisë. Në përfundim Dobjani rekomandon 10 masa të ndryshme për të përmirësuar kushtet e ambienteve të shoqërimit dhe sigurimit në organet e policisë. ar.ba