Vasili: ”Shqipëria në prag epidemie nga gripi i derrit”
Emanuela Sako
Shqipëria është në prag epidemie nga përhapja e shpejtë e virusit të gripit të derrit. Situata është pranuar nga Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili gjatë një konferencë për shtyp është shprehur se shtimi i rasteve të fundit po i afrohet pragut të epidemisë. Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar se janë 144 persona të prekur nga virusi A/H1N1. Ditët e fundit janë konfirmuar raste të cilat po shtohen me një shifër mesatare rreth 20 persona në ditë. Ky është një tregues që situata e përhapjes së virusit po shtohet me ritme të shpejta dhe vendi rrezikohet nga epidemia. Vasili theksoi se nuk ka vend për panik, por qytetarët duhet të tregohen më të kujdesshëm ndaj këshillave të bëra nga specialistët e shëndetësisë.
Masat
Ministria e Shëndetësisë nuk ka vendosur ende për marrjen e masave të reja, por, ka kërkuar që të veprohet në një fazë tjetër të ndryshimit të situatës. Ministri Vasili theksoi se nuk është momenti për të mbyllur shkollat, por në rast se numri i pacientëve do të rritet ndjeshëm, atëherë do të diskutohet një vendim i dytë. Aktualisht janë dhënë vetëm këshilla për popullatën dhe mbrojtjen e qytetarëve për të shmangur gripin e derrit. Ministri ka këshilluar që qytetarët duhet të tregohen të kujdesshëm ndaj udhëzimeve të dhëna më parë, si dhe kërkoi që pacientët të kryejnë vizita të shpeshta mjekësore edhe për virozat e thjeshta. Sipas specialistëve, shtimi i rasteve ka ardhur si pasojë e ndryshimit të temperaturave dhe ftohjes së motit. Ndryshimet klimaterike kanë bërë që të shtohet numri i personave të prekur nga gripi i zakonshëm dhe kombinimi i dy viruseve e bën më të vështirë situatën dhe evidentimin e virusit.
“Fillimi i ndryshimit të menjëhershëm të temperaturave ka filluar edhe me një situatë të re të epidemisë së gripit në Shqipëri. Dhe krahas rasteve të shtuara, të përditshme, të virusit gripal A/H1N1 dhe i njohur ndryshe si gripi i derrit, janë shfaqur dhe raste të gripit stinor që është shumë i ashpër këtë vit. Jemi në prag të një epidemie se rastet janë shtuar dhe për shkak të temperaturave”,- theksoi Ministri i Shëndetësisë.
Përhapja
Virusi i gripit të derrit nuk ka kursyer as fëmijët e vegjël. Në listën e të prekurve është shtuar dhe rasti i një fëmije 9-vjeçar nga qyteti i Gjirokastrës. Fëmija është jashtë rrezikut për jetën dhe po kurohet në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, i cili përveç gripit të derrit vuan edhe nga pneumonia. Ndërkohë që janë edhe 6 raste të konfirmuara të nxënësve të një shkolle 9-vjeçare në Klos të Matit. Sipas raportit të ISHP-së për gjendjen epidemiologjike në vend, bëhet e ditur se është ulur mosha mesatare e personave të prekur. Mosha mesatare e të prekurve është ulur në 16.5 vjeç gjatë dy ditëve të fundit, ndërsa javën e kaluar ishte në 22 vjeç.
A/H1N1, Tirana me numrin më të madh të personave të prekur
Numrin më të madh të personave të prekur me virusin e gripit të derrit e zë Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë. Në Buletinin Epidemiologjik, ISHP-ja bën të ditur të gjitha rrethet që kanë raste të konfirmuara me virus. Janë 77 persona, të cilët janë kuruar në Spitalin Infektiv të QSUT-së, ndërsa 11 fëmijë janë kuruar në Spitalin Pediatrisë. Po kështu, 14 raste të tjera me virus janë konfirmuar nga poliklinikat e kryeqytetit. Vendin e dytë për numrin e personave të prekur nga virusi e zë qyteti i Durrësit me 8 raste të konfirmuara, ndërsa pas tij vjen rrethi i Matit me 6 persona. Pjesë e qyteteve që kanë pacientë të prekur me virusin janë qyteti i Gjirokastrës, Beratit, Vlorës, Delvinës, Sarandës dhe Devollit. ISHP-ja po ekzaminon rastet për 21 mostra të tjera.
box
Raporti i fundit i ISHP-së për situatën epidemiologjike dhe masat e marra
Lidhur me gripin e ri A/H1N1, janë marrë 1418 mostra nga Tirana dhe rrethet.
Numri më i madh i mostrave është marrë në grupmoshën 25-44 vjeç, ku dhe vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara.
Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin AH1N1 është 144 persona.
Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 22 vjeç,
ndërsa e rasteve të javës së fundit është 16.5 vjeç.
Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
Përveç virusit të gripit A/H1N1 konfirmohet edhe qarkullimi i virusit të gripit të zakonshëm stinor.
Shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë të lehta dhe mesatare. Është regjistruar një rast i rëndë (sindrom i rëndë respirator akut), i shtruar në Spitalin Pneumoftiziatrik
Survejanca në të gjithë vendin është përforcuar për zbulimin dhe monitorimin e rasteve me sëmundje të rëndë respiratore.
Nga fillimi i javës së 46 të vitit kanë filluar të vërehen grumbullime me raste infeksionesh respiratore në disa shkolla në Tiranë dhe në Mat.
Ministria e Shëndetësisë është në kontakt të vazhdueshëm me Ministritë e tjera, me qëllim uljen e qarkullimit të
virusit në mjediset e shkollave, vendet e punës, mjetet e transportit publik, repartet etj.
Është siguruar sasia e nevojshme e Tamiflu-së dhe është shpërndarë sasi rezervë në të gjithë spitalet e vendit.
Gjithashtu, po furnizohen me Tamiflu edhe spitalet e rretheve të vogla si dhe një numër poliklinikash.
Vijon puna për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut lidhur me masat e higjienës personale dhe kolektive.
Mbyllen 7 farmaci, mbanin ilaçe kontrabandë
Merren masa me mbyllje të aktivitetit për 7 farmaci që tregtonin barna kontrabandë në kryeqytet. Farmacitë në të gjithë vendin kanë kaluar në sitën e Qendrës së Kontrollit të Cilësisë së Barnave, ku 7 prej tyre janë mbyllur, ndërsa disa të tjera janë gjobitur. Ndëshkimi për farmacitë ka ardhur si pasojë e tregtimit të medikamenteve kontrabandë apo të skaduara. Besnik Jakaj, Drejtor i Qendrës së Kontrollit të Barnave u shpreh se 7 farmacive u është hequr licenca pasi tregtonin barna pa pullën e sigurisë, kontrabandë dhe të pakontrolluara. Dy farmaci të tjera janë gjobitur me 200 mijë lekë se tregtonin barna të skaduara dhe 2 të tjera janë gjobitur me 50 mijë lekë se u mungonte drejtuesi teknik.
20 Nentor 2009