E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veriu në luftë, plagosen tre serbë dhe një polic kosovar

Policia e Kosovës ka marrë nën kontroll mesnatën e së hënës dy pika kufitare në veri. Kjo ka çuar në reagimin e serbëve, të cilët janë ndeshur me policinë. Një polic kosovar është plagosur dje me snapjper dhe mbahet nën kontroll në kampin amerikan Bondsteel

Mitrovicë - Gjatë ndërhyrjes në veri të vendit, forcat e KFOR-it janë sulmuar nga protestuesit serbë, raporton KTV-ja. Ndërkohë, nuk është bërë e ditur nëse ka të lënduar nga pjesëtarët e KFOR-it. Policia e Kosovës ka njoftuar se në pjesën veriore të Kosovës, afër fshatit Zubqe, ka pasur shkëmbim zjarri në mes të policisë dhe serbëve lokalë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, i ka thënë Radios Europa e Lirë, se në këtë shkëmbim zjarri ka pasur të plagosur. “Në një shkëmbim zjarri është plagosur rëndë një pjesëtar i Policisë së Kosovës”, ka thënë Sadriu. Dyshohet se polici është plagosur me snajper. Gjendja shëndetësore e pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës vazhdon të mbetet e rëndë dhe, sipas burimeve, ai është dërguar për kurim në kampin amerikan Bondsteel.

Burime jozyrtare kanë treguar për identitetin e policit të plagosur. Ai është E.Z. nga një fshat i komunës së Vushtrrisë, i cili në përleshje e sipër dyshohet se është qëlluar në kokë nga një snajper. Autokolona e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës, ROSU, është sulmuar nga serbë të armatosur. Ata ishin në rrugë e sipër drejt Veriut, nga Kushtova për në Zubin Potok, raporton RTK. Sipas televizionit publik, një polic i Kosovës është i lënduar rëndë dhe është dërguar për trajtim të menjëhershëm në QKUK.

Pohimet për kompromis me Serbinë janë hedhur poshtë nga kryeministri Hashim Thaçi, i cili, sipas RTK, ka potencuar vendimin se policia e Njësisë Speciale të Kosovës do të vazhdojë të qëndrojë në pikat kufitare 1 dhe 31. Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi, konfirmoi se pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë në pikën 1 të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë në Bërnjak, kurse në pikën 31, në Jarinje, ai tha se situata është më e paqartë. Konfirmimi i ministrit Rexhepi pasoi pohimet për tërheqjen e njësisë speciale nga dy pikat e kalimit kufitar me Serbinë. Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se rreth orës 15:00 ka pasur të shtëna afër pikës kufitare 1. Sipas njoftimeve të fundit të Radio Kim, në Zubin Potok janë plagosur tre serbë. Të shtënat dëgjohen në dalje të Zubin Potokut nga fshatrat Varag dhe Zhupq. Bëhet e ditur se rreth 30 automjete të Policisë janë nisur drejt pikave doganore, pasi kryetari i Leposaviqit i ka ftuar qytetarët serbë që të protestojnë në pikën 1, kundër marrjes së kontrollit nga autoritetet e Kosovës.

Borislav Stefanoviç ka akuzuar policinë se ka gjuajtur në drejtim të protestuesve serbë. “Ka pasur të shtëna, kemi dëgjuar se njësia speciale e policisë së Kosovës ka gjuajtur ndaj njerëzve tanë. Është shumë me rëndësi që në këto momente të jemi të qetë dhe të kemi informata të drejta”, ka thënë ai, raporton Tanjug.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›