E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e nënës shtatzënë: Nga shpërthimi në Gërdec humba fëmijën

Ministria e Mbrojtjes paditet për dëmshpërblim me 10 milionë lekë për humbjen e fëmijës. Çifti Adriatik dhe Anisa Sogani i është drejtuar Gjykatës për t’i dëmshpërblyer për dëmin e shkaktuar

Laureta Rryçi

Tiranë - Shpërthimi i Fabrikës së Demontimit të Municionit në Gërdec solli aq shumë vdekje, sa nuk kurseu dhe embrione fëmijësh të sapoformëzuara. Një çift nga ky fshat, deri para 15 marsit të vitit të kaluar, i gëzohej ardhjes në jetë të fëmijës së tyre. Mirëpo tragjedia dëmtoi edhe shëndetin e nënës, që ishte disa muaj shtatzënë. Për këtë, çifti Adriatik dhe Anisa Sogani, kanë depozituar një padi civile në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, ku kërkojnë që Ministria e Mbrojtjes t’i dëmshpërblejë me 10 milionë lekë. Padia e rrallë sapo i a kaluar fazat e para dhe mësohet se gjyqtari i çështjes, Altin Shkurti, po njihet me kërkesat e çiftit për të përcaktuar më pas edhe seancën e parë kur do të nisë dhe procesi.
Padia
Burime pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pohuan dje për gazetën “Albania” se padia e rrallë është depozituar vetëm pak kohë më parë. Ajo do të shqyrtohet nga një gjyqtar civil, i cili u përcaktua me short, njësoj si të gjitha paditë e tjera civile. Çifti e depoziton padinë pothuajse një vit pas ngjarjes dhe ende nuk janë zbuluar të gjitha detajet e padisë për të mësuar se cilat janë realisht pasojat e shëndetit të nënës, përveç asaj që u duhet ta vërtetojnë me ekspertizën e gjinekologut për humbjen e bebes. Në padinë e dorëzuar paditësit tashmë e kanë shumë të qartë se sa duan dëmshpërblim nga Ministria e Mbrojtjes, që vendosi fabrikën e demontimit pikërisht në fshatin e tyre. 10 milionë lekë të rinj do të kalojë në llogaritë e familjes Sogani nëse kjo padi do të pranohet nga gjykata si e drejtë.
Tragjedia
Ngjarja e ndodhur më 15 mars 2008, në ambientet e ish-Brigadës së Tankeve në Gërdec Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve shoqëria “Albademil” sh.p.k., për nga përmasat dhe shtrirja e saj; për nga pasojat tejet të rënda njerëzore, materiale, sociale dhe psikologjike; për nga dëmtimi i interesave materiale dhe jomateriale të shtetit, si dhe për nga cenimi i një sërë marrëdhëniesh të tjera shoqërore të mbrojtura posaçërisht me ligj, konsiderohet një nga ngjarjet më tragjike të viteve të fundit, e cila krijoi një situatë tejet të rëndë humane, sociale, ekonomike, psikologjike, ekologjike, si dhe cenoi rëndë sigurinë në gjithë rajonin dhe më gjerë.

Detaje të padisë
Numri i çështjes: 7599
Paditësit: Adriatik Sogani, Anisa Sogani
Te paditurit: MEICO (MILITARY EXPORT IMPORT COMPANY), Ministria e Mbrojtjes, SOUTHERN AMMUNITION COMPANY INC
Lloji i Çështjes: Padi shkaktim dëmi (Neni 608-654)
Baza Ligjore: Nenet 608 - 654
Objekti: Shpërblimi dhe kompensimi i dëmeve pasurore dhe jopasurore të shkaktuar familjes Sogani si pasojë e dëmtimit të shëndetit të paditëses Anisa Sogani dhe humbjen e fëmijës prej saj nga ngjarja e shpërthimit të Fabrikës së Demontimit të Municioneve në fshatin Gërdec, më datë 15.03.2008 në shumën 10 000 000 lekë
Statusi i dosjes: Gjykim
Gjyqtari: Altin Shkurti

Të dhëna zyrtare pas tragjedisë, që janë në dosjen për gjykim

26 viktima

27 persona të plagosur rëndë

109 personave të plagosur lehtë nga kjo vepër penale

67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale

61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit

5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.

Dosja, në pritje të gjykimit në Gjykatë të Lartë

Interesat e 18 viktimave përfaqësohen nga mbrojtësi ligjor, avokate Blerta Kraja. Sipas kërkesës për gjykim, të 29 të pandehurit e kësaj dosjeje, në role dhe kohë të ndryshme, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer një sërë veprash penale, që nga “shpërdorimi i detyrës”; “shkatërrim prone”; “falsifikim të dokumenteve” dhe “vrasje me dashje, më shumë se njëherë kundër dy ose më shumë personave”. “Nga hetimet e dosjes ka rezultuar se të pandehurit e kësaj dosjeje, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role dhe kohë të ndryshme, me veprimet dhe mosveprimet e tyre me dashje, kanë hartuar shkresa të paligjshme në respektim të zbatimit të urdhrave të kundërligjshme të firmosura nga ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, veprime këto që kanë faktuar një lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec”, - shkruhet në kërkesën për gjykim që tashmë ka mbërritur në Gjykatën e Lartë. Gjatë hetimit ka rezultuar se në punishten e çmontimit të municioneve në Gërdec, organizimi i punës bëhej duke u përqendruar në një numër të madh punëtorësh në një sipërfaqe shumë të vogël pune, çka ka cenuar kushtet e sigurisë teknike dhe kontrollin mbi procesin e çmontimit. “Përzgjedhja e kompanisë amerikane ‘SAC inc’, nga i pandehuri Fatmir Mediu dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë veprimtari kriminale, ka qenë e paracaktuar për t’u përdorur si fasadë për publikun dhe për institucionet e tjera, me qëllim krijimin e perceptimit të rremë se do të realizohej një proces transparent, ligjor dhe që do të garantonte çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve brenda standardeve për sigurinë publike, që zakonisht e ofrojnë shoqëritë e huaja në këtë fushë, ndërkohë që provohet se në fakt është konsideruar domosdoshmëri dhe janë marrë të gjithë masat që ky proces të realizohej nga person juridik i pandehur, shoqëria ‘Albademil sh.p.k,.’ e përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji”, - thuhet në kërkesën për gjykim që është përfshirë në dosje.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›