E Shtunë, 31 Tetor 2026

PBDNJ-ja, një hap larg koalicionit me Partinë Socialiste

Më 9 maj, Kongresi i PBDNJ-së shpall vendimin politik për konkurrimin në zgjedhje

Luis Tanushi
Partia e të Drejtave të Njeriut pritet që të jetë pjesë e koalicionit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 28 qershorit. Negociatat me këtë forcë politike kanë kohë që kanë nisur. PBDNJ-ja është shprehur se vendimin për të hyrë në koalicion me të djathtën ose me të majtën do ta marrë më 9 maj. Në këtë datë kjo parti do të zhvillojë punimet e kongresit. Në kongres do të diskutohet edhe për listën e kandidatëve për deputetë në Parlamentin e ardhshëm.
Koalicioni
Mësohet se bisedimet midis drejtuesve të PBDNJ-së dhe atyre të partive të majta janë në rrugë të mbarë. Vendimi që do të dalë nga kongresi i PBBDNJ-së pritet që t’i hapë rrugë edhe formalizimit të koalicionit të majtë. “Do të synojnë shmangien e PBDNJ-së nga rituali i dialogut shterp, pa përmbajtje, pa alternativa, që sërish rikthehet në vendin tonë përpara ballafaqimit elektoral, politik të radhës”, - deklaroi Dule në një takim me strukturat e PBDNJ-së për qarkun e Tiranës më 19 prill. Dule u shpreh se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut do të synojë që në premtimet e saj të përqendrohet pikërisht në shqetësimet ekonomike të qytetarëve. Para zgjedhjeve të 2005-s PBDNJ-ja ka qenë në pjesë e qeverisë së majtë. Ndërsa pas zgjedhjeve të 2005-s kjo forcë politike u fut në qeverinë e djathtë.

Aleatët e tjerë të PS-së
Ndërkohë, në koalicionin e majtë që Partia Socialiste do të krijojë do të marrin pjesë Partia Socialdemokrate, Demokracia Sociale dhe Partia më e re, G99. Vendimin për të hyrë në koalicion me PS-në këto dy forca politike, PSD-ja dhe PDS-ja, i zyrtarizuan në kongreset që mbajtën në fund të muajit prill, ndërkohë që mbetet vetëm zyrtarizimi në letër i marrëveshjeve të koalicionit. Nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtaj, u shpreh se tryeza e partive ku pritet që të nënshkruhet marrëveshja për koalicionin e majtë është mirë që të nënshkruhet në fund të kësaj jave. Sipas tij, dita e diel do të jetë përshtatshme për të bërë zyrtarizimin e koalicionit. “Marrëveshja e koalicionit të majtë duhet të bëhet para datës 13 maj”,- tha Bejtaj. Bejtaj u shpreh se afati i fundit i regjistrimit të koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është mjaft afër. Nënkryetari i PSD-së nënvizoi se pritet që në këtë koalicion të jetë edhe PBDNJ-ja. Engjëll Bejtaj u shpreh se në tryezën e partive që do të mblidhet për zyrtarizimin e koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme pritet që të diskutojë edhe probleme të ndryshme që kanë të bëjnë me fushatën. Një nga pikat që do të diskutojnë partitë do të jetë programi elektoral. Bejtaj deklaroi se programi i forcës politike që ai përfaqëson do të jetë pjesë e programit me të cilën e majta do të futet në zgjedhje. Një tjetër çështje që pritet të vendoset për koalicionin e ardhshëm do të jetë edhe slogani i përbashkët. Deri në këto momente partitë i kanë paraqitur të ndara sloganet e tyre. PSD-ja ka si slogan të saj “PSD, garancia e së majtës”, kurse PDS-ja ka zgjedhur si slogan të saj “Vendos me ne, për një Shqipëri më të mirë”.
Sistemi i ri zgjedhor, proporcional rajonal, me të cilin do të konkurrohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ka nxitur pothuajse të gjitha partitë, të majta e të djathta, që të bëjnë kalkulimet e tyre për avantazhet dhe disavantazhet që përfitojnë nga garimi me koalicione përkrah dy partive të mëdha, apo nga garimi me koalicione më vete.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›