E Shtunë, 31 Tetor 2026

I penduari zbuloi bandën e grabitësve të maskuar

 

TIRANE / DURRES

Policia e Durrësit dokumentoi edhe një tjetër grabitje të realizuar nga grupi kriminal i arrestuar pak ditë më parë në tre qytete gjatë aksionit “Feniks”. Bëhet fjalë për tre nga shtatë personat që akuzohen për ngjarjen e ndodhur mesnatën e 8 janarit në Rashbull të Durrësit. Tre nga shtatë të arrestuarit i përkasin moshës 25-26 vjeç. Policia tha se grabitësit që plagosën rëndë 62-vjeçarin Zenel Berberi janë Besmir Toçilla, Ermal Dida dhe Armand Dauti, të tre të lindur në Kukës, por banues në periferi të Durrësit e Tiranës. Dyshohet se dy prej të arrestuarve kanë hyrë në shtëpinë e të dëmtuarve ku janë përleshur me kryefamiljarët, ndërsa një i tretë u ka siguruar krahët duke bërë roje. Pasi janë diktuar nga anëtarët e familjes Berberi, grabitësit u përleshën me ta. Vajza A. Berberi arriti t’i hiqte maskën njërit prej grabitësve, çka më pas ndihmoi policinë në identifikimin e autorëve të ngjarjes. Shkaktarët e krimit janë arrestuar nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, në orët e vona të natës, brenda një shtëpie të braktisur. Bëhet e ditur se në ngarkim të tyre kishte edhe një sërë veprash të tjera penale, të kryera në kohë të ndryshme në aksin Tiranë-Durrës. Autorësia mbi ngjarjen e Rrashbullit është vërtetuar si nga dëshmia e familjarëve, të cilët u përleshën, ashtu edhe nga gjurmët e gishtave të lëna në dritaren e shqyer, të cilat përputhen me ato të personave të arrestuar. Pas ngjarjes tre familjarët u shtruan në Spitalin Rajonal të Durrësit për ndihmë mjekësore, por 25 ditë pas luftimit trup me trup me grabitësit ata janë jashtë rrezikut për jetën.
I penduari
Ndërkaq duket se banda kriminale që akuzohet se ka vepruar në Tiranë, Durrës dhe në Kukës, është zbuluar me ndihmën e një të penduari, i cili ka dhënë deklarime për policinë duke “tradhtuar” bashkëpunëtorët e tij. Dje në Gjykatën e Tiranës vetëm një prej tetë të arrestuarve të “Feniks” arriti t’i shpëtonte burgut, pasi la peng në gjykatë një garanci prej 2 milionë lekësh të vjetra. Shtatë të arrestuarit e tjerë do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Masa e arrestit “burg pa afat” u vendos edhe për 23-vjeçarin Besmir Toçilla nga Kukësi, i cili pranoi para gjykatësit të gatshëm në kryeqytet se kishte marrë pjesë në të gjitha vjedhjet dhe grabitjet e kryera nga ai dhe shokët e tij. Toçilla, i dënuar më parë për vjedhje, ishte i vetmi nga të arrestuarit e katër ditëve më parë që pranoi të jepte shpjegime në gjykatë. Gjatë shpjegimeve të dhëna në gjykatë ai tregoi se bashkë me të arrestuarit e tjerë kishin vepruar në bashkëpunim për të kryer vjedhje dhe grabitjet për të cilat akuzoheshin. Ndërsa përfaqësuesi i Prokurorisë pohoi se Toçilla pas arrestimit i kishte dhënë informacionet e duhura policisë, ndërsa pas kësaj ishte bërë i mundur dokumentimi i ngjarjeve dhe më pas arrestimi i të pandehurve. Ndërkohë pritet që Toçilla gjatë hetimit të marrë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë.                     o.u/f.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›