Zbulohet telefonuesi, alarmi për bombë rezulton i rremë

Policia dje gjatë kontrolleve për bombë
Një telefonatë, fillimisht anonime, dha dje alarm të rremë për vendosjen e një bombë në ambientet e brendshme të kompleksit Tajvan në Tiranë. Lajmërimi në sallën operative ka alarmuar Policinë e kryeqytetit, stafin e kompleksit dhe dhjetëra klientë e kalimtarë që ndodheshin aty rreth mesditës. Një person ende i paidentifikuar ka telefonuar rreth orës 12:00, në sallën operative të Policisë së Vlorës, duke pretenduar se te Tajvani në Tiranë është vendosur bombë. Pas marrjes së këtij informacioni, Policia e Vlorës ka njoftuar menjëherë kolegët në kryeqytet dhe masat janë marrë në kohë rekord. Pas shumë verifikimesh, policia sqaroi dje se telefonuesi ndodhej në Vlorë në kohën kur bëri thirrjen në sallën operative. Forca të shumta policia kanë rrethuar menjëherë zonën, ndërsa kanë dërguar për verifikim një grup xhenierësh të sektorit Antieksploziv. Gjithashtu, në mbështetje të tyre kanë qenë edhe forcat speciale RENEA e FNSH, si dhe qenë të mësuar për nuhatjen e lëndëve eksplozive. Fillimisht është kryer evakuimi i të gjithë personave që ndodheshin në ambientet e brendshme të kompleksit, stafi dhe klientët dhe më pas është rrethuar vendi i ngjarjes për të kryer kontrollet e nevojshme jashtë dhe brenda ambienteve. Pas një kontrolli të imtësishëm që zgjati rreth 30 minuta, rezultoi se alarmi për bombë ishte i rremë. Pasi u siguruan nga ana e policisë se zona e brendshme e përreth kompleksit ishte e pastër dhe alarmi ishte i rremë, gjithçka u kthye në normalitet dhe policia pasi rregulloi edhe trafikun, u largua nga vendi i ngjarjes.
TELEFONATA
Për shkak se alarmi i rremë për bombë te kompleksi Tajvani, është kryer nga një numër celulari, policia ka arritur të identifikojë menjëherë numrin dhe emrin e personit, me të cilin ishte regjistruar ai numër. Grupi hetimor ka bërë identifikimin e telefonatës nga ku rezulton se thirrja e telefonike është bërë me numrin e celularit 068 51 60 873 dhe poseduesja është një vajzë nga Kavaja, e cila është shoqëruar për tu marrë në pyetje në ambientet e Komisariatit të Policisë Kavajë, thuhet zyrtarisht nga Policia e Tiranës. Burime nga Policia e Kavajës thanë se vajza, në emër të të cilit rezultonte i regjistruar numri, është marrë në pyetje për rreth dy orë. Gjatë deklarimeve të saj, këqyrjes së telefonit që ajo kishte në përdorim, nuk është zbuluar asnjë lloj lidhje e vajzës me personin që ka kryer telefonatën. Të njëjtat burime thanë se personi që ka dhënë alarmin në sallën operative të Vlorës ka qenë mashkull dhe mund të ketë përdorur për regjistrimin e numrit kartën e identitetit të vajzës së shoqëruar. Mes saj dhe telefonuesit nuk u zbulua asnjë lidhje, gjithashtu ajo nuk ka qenë në gjendje të kujtohet nëse në ndonjë moment ia ka dhënë dikujt kartën e saj të identitetit apo e ka harruar diku. Pasi është konstatuar se vajza nuk kishte lidhje me telefonatën anonime që dha alarmin për bombë, Policia e Kavajës e ka lënë atë të lirë.
Telefonuesi nga Vlora
Alarmi i rremë për bombë te kompleksi Tajvani është kryer nga qyteti i Vlorës dhe në sallën operative të Policisë së këtij qyteti. Telefonata është kryer nga numri i celularit 068 51 60 873, në emër të një vajze nga Kavaja, por personi që ka lajmëruar ishte mashkull. Burime nga Policia thanë se ka nisur një operacion nga ana e Policisë së Vlorës, për identifikimin e personit që ka telefonuar, edhe pse duket paksa i vështirë zbulimi i autorit. Janë shoqëruar disa persona, por nuk kanë rezultuar të kenë lidhje me ngjarjen. Por, fillimisht duhet të zbulohet se si numri i celularit është regjistruar me një identitet tjetër.Vajza
Pas verifikimit të numrit të celularit, që bëri njoftimin e rremë për bombë, policia zbuloi se numri ishte i regjistruar në emrin e një vajze, banuese në një fshat pranë Plazhit të Gjeneralit në Kavajë. Vajza, emri i së cilës nuk bëhet i ditur nga policia, u shoqërua në Komisariatin e Kavajës, ku u mor në pyetje për dy orë. Në një gjendje mjaft të rënduar psikologjike dhe e tronditur nga incidenti, vajza rezultoi që nuk kishte asnjë lidhje me ngjarjen dhe emri i saj ende nuk dihet se nga kush është përdorur për të regjistruar numrin e celularit 068 51 60 873.
ETLEVA DELIA