E Diel, 1 Nëntor 2026

Paditet Vetëvendosja, por nuk i përgjigjet gjykatës

Pronari i kompanisë “Mili Trans” Fatmir Hajdari nga Podujeva, ka paditur Lëvizjen Vetëvendosje në Gjykatën Komunale në Prishtinë, për rrëzimin e një kamioni në fshatin Lupç të Podujevës, gjatë një aktiviteti të kësaj lëvizje në vitin 2011.

Sipas dokumenteve që ka siguruar Indeksonline, në këtë padi janë të përfshirë Ministria e Drejtësisë, Lëvizja Vetëvendosje, e pastaj edhe anëtarët e kësaj lëvizje, Glauk Konjufca, Liburn Aliu, Sali Zyba nga Prizreni dhe Arbërie Krasniqi nga Prishtina.

E kësaj padi-propozimi të dërguar nga Fatmir Hajdari në Gjykatën Komunale në Prishtinë, nuk i është përgjigjur askush deri më tani.

Zyrtarë të Vetëvendosjes kanë thënë për Indeksonline se nuk i përgjigjen gjykatave për aksione politike.

“Ne nuk i përgjigjemi thirrjeve nga gjykata për aksione politike, sepse gjykimet e tilla i konsiderojmë politike. Aksioni politik për rrotullimin e maunave ka qenë kundër produkteve serbe dhe për mbrojtjen e prodhimeve vendore, e jo kundër kompanive transportuese si të tilla” ka thënë Erzen Vraniqi për Indeksonline.

Për Vetëvendosjen nuk ka rëndësi se i kujt është kamioni, ka qenë me targa serbe dhe malli ka qenë serb, e veç shoferi ka qenë shqiptar ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka pas kamion serb me mall hungarez që e kemi lënë të kalojë.

Ndërkohë, në shtator të vitit 2011, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin marrë aksion për rrëzimin e maunave me mallra të Serbisë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›