Selmanaj porosit: Nuk bën të zbatohen “vendimet e Millosheviqit”

Ambasadorët e SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe kanë vizituar sot Komunën e Deçanit, ndërsa drejtuesve komunalë u kanë sugjeruar që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Supreme të Kosovës rreth dy pronave të kontestuara me Manastirin e Deçanit. Por, kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj ua ka bërë të qartë ambasadorëve se nuk pranojnë vendimet që janë marrë gjatë epokës së Sllobodan Millosheviqit.
Selmanaj ka deklaruar se ambasadorëve u ka thënë se këmbëngulja për t’i dhënë këto prona do të nxisë tensionimin e mëtejmë të raporteve ndërmjet qytetarëve, Komunës dhe përfaqësuesve të Manastirit, transmeton koha.
“Ambasadorët janë të vetëdijshëm për situatën e ndjeshme. Edhe ne ua sqaruam se nuk ka kuptim që të zbatohen ligjet të cilat qëmoti janë shfuqizuar”, tha Selmanaj.
Ai është i bindur se vendimi do të kthehet prapa nga shkalla e dytë e Gjykatës Supreme, ndërsa në rast të kundër do të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme më herët ka vendosur që t’i marrë si të bazuara provat, duke mundësuar që pronat e ndërmarrjes bletare “Apiko” dhe ndërmarrjes hoteliere “Iliria” t’i mbesin në pronësi Manastirit të Deçanit.
Kundër këtij vendimi ka pasur edhe protesta, por autoritetet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për t’u respektuar vendimi.
Gjatë vizitës së sotshme, ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, ftoi udhëheqësit komunalë të Deçanit që të zbatojnë vendimin shpejt, duke vlerësuar se kështu komuniteti do të ecë përpara.
“Gjatë vizitës së tij në Manastirin Ortodoks Serb në vitin 2010, nënpresidenti Biden tha se manastiri është pjesë përbërëse jo vetëm e të kaluarës së këtij komuniteti, por çka është edhe më e rëndësishme, edhe e të ardhmes së tij. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kosovës presin që Deçani të shfaqë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vlera evropiane edhe për këtë. I nxis udhëheqësit lokalë të punojnë së bashku për promovimin e turizmit, mundësive dhe rritjes ekonomike”, ka thënë ambasadorja Jacobson./Indeksonline/