Paditet ne Prokurori Oktapodas i AMC
Kreu i AMC-së dhe drejtoresha e interkonjeksionit, akuzohen se kanë shkatërruar pronën e një kompanie tjetër
TIRANË- Drejtori i përgjithshëm i AMC-së, Stefanos Oktapodas dhe drejtoresha e Departamentit të Interkonjeksionit në këtë kompani, Irena Elmas, janë kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës, pas dëmtimeve që i kanë kryer një kompanie private në kryeqytet.
Kallëzimi i dorëzuar dje në Prokurori, është bërë nga kompania e ofrimit të internetit dhe telefonisë fikse, Abissnet. Kallëzimi penal i Abissnet-it, për dy drejtuesit e kompanisë celulare, bazohet në veprën penale të shkatërrimit të pronës, e cila parashikohet nga Neni 150 i Kodit Penal dhe për ta kërkohet nisja e procedimit penal.
Drejtuesit e AMC-së akuzohen se në mënyrë të qëllimshme kanë ndërprerë lidhjen mes Abissnet dhe AMC duke sjell për pasojë që abonetët e telefonisë Abissnet të mos mund të marrin dot numrat AMC.
Në kallëzimin penal të dorëzuar në Prokurori, thuhet se ndërprerja e shërbimit të interkonjeksionit nga shoqëria AMC, është ideuar dhe lejuar nga personat e kallëzuar, të cilët kanë cenuar interesat e drejta dhe të ligjshme, të Abissnet për të ushtruar veprimtarinë në tregun e telefonisë së qëndrueshme.
Në nenin 150 të Kodit Penal, parashikohet që 'shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës, kur pasojat materiale nuk janë të lehta, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet".
Në kallëzim specifikohet se Abissnet-i pasi është licencuar për ofrimin e telefonisë fikse nga ana e Autoritetit të Komunikimeve Postare dhe Elektronike ka lidhur marrëveshje interkonjeksioni me tre operatorë me fuqi të ndjeshme në treg (OFN) në fushën e telefonisë, Albtelecom, AMC dhe Vodafone, në mënyrë që të ofronte shërbimin telefonik të qëndrueshëm.
Tre OFN-të e kanë si detyrim ligjor të lidhin marrëveshjet me çdo operator në treg, kur ai e kërkon një marrëveshje të tillë. Sipas Abissnet-it, marrëveshja e interkonjeksionit me AMC-në ka funksionuar normalisht deri në fillim të muajit shkurt. Por, pas kësaj periudhe, Abissnet-i nuk ka mundur të realizojë terminimin në operatorin AMC.
Abissnet i akuzon edhe për mashtrim drejtuesit e AMC sepse ata fillimisht i kanë deklaruar se kjo çështje nuk lidhet me të, por me Albtelecom-in. "Pasi kryem të gjitha verifikimet përkatëse tek Albtelecom, rezultonte se ky i fundit nuk kishte asnjë problem",- citohet në kallëzimin e dorëzuar në Prokurori.
Pas ndërprerjes abuzive nga ana e AMC-së, Abissnet ka dërguar shkresa të njëpasnjëshme, dhe ka kontaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me personat e kallëzuar, duke kërkuar që AMC-ja të vendoste shërbimin në respektim të kontratës dhe ligjit, por nga data 04.02.2009 deri në datën e depozitimit të këtij kallëzimi, vazhdon kundërligjshmëria e qëndrimit të të kallëzuarve. Tashmë, i takon Prokurorisë që të ndjekë në vazhdimësi këtë çështje.
Pjesë nga kallëzimi penal:
"Shoqëria jonë ka lidhur marrëveshje interkonjeksioni me tre operatorët: Albtelecom, AMC dhe Vodafone Albania.
Këto marrëveshje, me shoqërinë Albtelecom dhe Vodafone Albania janë duke u zbatuar rregullisht dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. Ndërsa me shoqërinë AMC, deri në fillim të muajit shkurt, zbatimi i marrëveshjes është kryer rregullisht nga të dyja palët. Pas kësaj, shoqëria jonë nuk po realizonte terminimin në operatorin AMC.
Pas komunikimit me AMC-në, na u parashtrua pretendimi se kjo çështje nuk lidhet me të, por me Albtelecom-in. Pasi kryem të gjitha verifikimet përkatëse tek Albtelecom-i, rezultonte se ky i fundit nuk kishte asnjë problem.......
"Dëmet që nga shkaktoi AMC-ja"
"Nga ana objektive, kjo vepër penale është kryer me veprime aktive të personave të kallëzuar, të cilët kanë urdhëruar ndërprerjen e shërbimit të interkonjeksionit ndaj shoqërisë Abissnet sh.a.
Ndërprerja e shërbimit, në mënyrë të menjëhershme, të paarsyeshme dhe të pa njoftuar, është një veprim i kundërligjshëm dhe abuziv. Kjo i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm pronës së shoqërisë Abissnet. Sipas kuptimit juridik, koncepti i pronës nuk nënkupton vetëm sendet e luajtshme apo të paluajtshme, por tërësinë e të drejtave dhe detyrimeve pasurore të një personi.
Në rastin tonë, personat e kallëzuar, duke lejuar me dashje të drejtpërdrejtë ndërprerjen e shërbimit të interkonjeksionit, u kanë shkaktuar dëm investimeve serioze që kemi kryer në teknologjinë e telefonisë së qëndrueshme, kanë cenuar lirinë e veprimtarisë sonë ekonomike, dhe na kanë penguar të realizonim fitimin ekonomik të parashikuar".