E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, në Kuvend p/ligji i kompensimit të depozitave

TIRANË- Qeveria ka paraqitur sot në Kuvend p/ligjin e ri të kompensimit të plotë të depozitave deri në 25 mijë euro, në rast falimentimi të bankave. Ky projekligj vjen në një kohë kur vendi është i rrezikuar nga kriza ekonomike botërore, siç kanë deklaruar instutucionet ndërkombëtare ekonomike, si FMN apo BB.

Sipas draftit të qeverisë, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) kompenson depozitat e siguruara kur autoriteti mbikëqyrës ndërhyn në bankën e siguruar, ose kur kjo e fundit likuidohet vullnetarisht. Në ligj thuhet se "Agjencia kompenson depozitën e siguruar në masën 100 për qind, por jo më shumë se 25 mijë euro". Ndërkohë deri tani shuma e kompensimit është vetëm 700 mijë lekë.

Në projekligjin e ri thuhet se, kompesimi i depozitave fillon menjëherë pasi Agjencia njoftohet me shkrim për ndërhyrjen apo likuidimin vullnetar të bankës. Ndërkohë, në p/ligj janë parashikuar dhe afatet e kompensimit të plotë të shumave, duke mos lejuar shtyrjen e këtij procesi në një afat të tejzgjatur. Më konkretisht është e përcaktuar se "brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, ASD-ja duhet të njoftojë të gjitha bankat apo kompanitë e tjera për ndryshimet në ligj si dhe për detyrimet që lindin prej tij".

Një nen tjetër i rëndësishëm i këtij p/ligji, është ai i mbi Autoritetin mbikëqyrës që do të ketë detyra më të rrepta ndaj bankave, duke marrë dhe kompetenca për të ndërhyrë, në rast se vërehen shkelje apo problem. "Autoriteti gjithashtu mundet të urdhërojë bankën e siguruar për pushimin e menjëhershëm të veprimeve, të konsideruara si kundërvajtje dhe marrjen e masave korrigjuese. "Ai urdhëron bankën e siguruar që t'i paguajë Agjencisë fitimin e munguar për mospagimin në kohë të kontributit të primit", thuhet në projektligj. "Me këtë vendim garantojme 80 për qind të totalit të depozitave në vend", ka deklaruar kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së qeverisë ku dhe u prezantua ky p/ligj.

Në ligjiin aktual shuma e garantuar e depozitave është 700 mijë lekë. Rritja e shumës deri në 25 mijë euro e rrit pragun afërsisht me katër herë.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›