Kushëririn e vrava se shkonte me gruan time
ITALI - Krenar Çobo, 33-vjeçari që vrau me thikë për xhelozi Mariglen Ballën në Montevarki në Itali të enjten e kaluar, ka qëndruar i heshtur në seancën e tij të parë gjyqësore. Personi që qëlloi mbi 23-vjeçarin Balla, pasi pretendonte se ai ishte i dashuri i bashkëshortes së tij, nuk ka dhënë asnjë koment përpara trupit gjykues. Mesa duket kjo i ishte këshilluar nga dy avokatët e tij mbrojtës Giuseppe Renzetti dhe Lucia Barbagli që në seancën e masës së sigurisë, ku për të u vendos “arrest me burg”. Heshtja e tij e bazuar në rregullën antike të mbrojtjes: kur ende nuk ka qartësi mbi faktet, më mirë të rrish i heshtur, pasi një fjalë e tepërt mund të kthehet në disfavorin tënd. Sipas policisë së vendit fqinj tashmë nuk ka më dyshime për autorësinë e vrasjes dhe për dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vrarë 23-vjeçari. Ajo që mbetet akoma e pavendosur për hetuesit italianë janë motivet që çuan Çobon në aktin kriminal. Paqartësia për hetuesit nuk është fakti që vrasja ka ardhur për arsye xhelozie, por se sa e justifikuar ishte kjo xhelozi. Zbardhja e kësaj pjese do të sqarojë edhe qëndrimin e mbrojtjes kundrejt vrasjes, nëse ajo është kryer në gjaknxehtësi e sipër, apo ka qenë e paramenduar. Në seancën e djeshme pala e akuzës ka diskutuar vetëm për akuzën e “vrasjes me dashje” pa rëndimet e mëtejshme. Pjesa tjetër do të varet nga rrjedha që do të marrin hetimet dhe veçanërisht nga verifikimet për disa regjistrime të bëra në telefonin celular të 33-vjeçarit Çobo. Ai ka pohuar se zotëron një regjistrim vokal që do të vërtetonte katërcipërisht marrëdhënien mes bashkëshortes dhe kushëririt të tij Balla. Këtë deklaratë ai e ka bërë ditë më parë në burgun e San Benedetos përpara dy avokatëve të tij. Telefoni i tij është sekuestruar nga policia italiane, e cila po punon për të zbardhur se kur ai ka thënë të vërtetën dhe se kur është verbuar nga inati për një marrëdhënie që mbase nuk ekzistonte. Ndërkohë në deklarata të dhëna ditë më parë bashkëshortja 22-vjeçare e Çobos nuk ka mohuar të ketë pasur lidhje jashtëmartesore me Ballën. Sipas saj, ai ishte i afërmi i burrit të saj që jetonte prej pak ditësh bashkë me ta. Vrasja e Mariglen Ballës ndodhi më 25 shtator. Krenar Çobo e qëlloi atë me thikë, pasi dyshonte për një lidhje mes tij dhe bashkëshortes e cila u hodh nga ballkoni prej frikës nga i shoqi.