"Pafajesia e Myslimanëve", protesta në gjithë botën myslimane

Të zemëruar nga filmi që tall Profetin Muhamed,myslimanë të shumtë kanë protestuar ditën e premte në Lindjen e Mesme.Qindra protestues kanë sulmuar ambasadat e Shteteve të Bashkuara,në Sudan dhe Tunizi. Forcat e sigurisë në kryeqytetin e Jemenit, Sana, kanë përdorur topa uji dhe të shtëna paralajmëruese për të shpërndarë qindra protestues që bënë përpjekje të depërtonin në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara.
“Kjo është një situatë shumë e paqëndrueshme dhe nuk është përgjigje ndaj Shteteve të Bashkuara, ndaj administratës, ndaj popullit amerikan. Është një përgjigje ndaj një filmi që në e kemi dënuar”, ka thënë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhej Karni.
Demonstruesit në kryeqytetin sudanez kanë depërtuar, po ashtu, në Ambasadën e Gjermanisë, duke u vënë zjarrin dritareve. Ata kanë sulmuar edhe Ambasadën britanike, para se policia të përdorte gazin lotsjellës. Ministri i Jashtëm gjerman, Guido Vestervelle, ka dënuar ashpër sulmin.
“Do të kërkoj nga autoritetet sudaneze që të garantojnë menjëherë sigurinë e Ambasadës gjermane. Unë dënoj edhe videon anti-islamike, por megjithatë ajo nuk mund të jetë justifikim për shpërthimin e dhunës. Kjo dhunë duhet të ndalojë menjëherë”, ka theksuar Vestervelle.
Përleshje janë raportuar edhe në Egjipt, ku Vëllazëria Myslimane fillimisht ka bërë thirrje për “protesta mbarëkombëtare paqësore”, por duket se më vonë ka shfuqizuar apelin nga frika e dhunës,duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk janë përgjegjëse për filmin.
Muhamed Morsi, Presidenti i Egjiptit, ka dënuar vrasjen e ambasadorit amerikan në Bengazi të Libisë dhe të tre bashkëpunëtorëve të tij duke iu bërë thirrje egjiptianëve që të mbrojnë ambasadat e huaja.
Ndërkohë zëdhënësi i partisë Hizbut Tahrir në Indonezi, Ismail Jusanto i ka bërë thirrje Uashingtonit të ndërmarrë masa kundër filmit.“Kërkojmë nga Shtetet e Bashkuara të ndalojnë filmin dhe ta shkatërrojnë atë”, ka thënë Jusanto.
Gjatë protestës në Basra të Irakut, lideri fisnor, Sheik Abu Kifah al-Bakatri, po ashtu ka shprehur zemërimin e tij.“Fiset e Basras bëjnë thirrje për mbylljen e konsullatave amerikane dhe britanike dhe dënojnë fyerjen e Profetit Muhamed. Paqja qoftë mbi të”, është shprehur ai.
Mijëra protestues kanë protestuar edhe në Teheran, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamnej, ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të ndëshkojnë fajtorët e “filmit të tmerrshëm”.
Filmi “Pafajësia e myslimanëve”, e përshkuan Profetin Muhamed si feminist gjë që bie në kundërshtim me ligjet islame.