E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagat e policëve, digjet fondi për orët shtesë në polici

Autori i Lajmit: Redaksia
Punonjësit e policisë nuk do të paguhen për orët shtesë të punës gjatë këtij viti. Qeveria nuk ka miratuar asnjë fond për pagesat shtesë. Ndërkohë që me mbylljen e vitit pagesat digjen. Bëhet fjalë për orët shtesë që punonjësit e policisë shërbyen në zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Edhe pse ishte e vetmja hallkë që mori notën dhjetë edhe nga ndërkombëtarët, policët duhet të mjaftohen vetëm me komplimentet për punën.

Shpërblimi

Punonjësit e Policisë së Tiranës u vlerësuan pozitivisht për punën e tyre para, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Ata ishin në gatishmëri të plotë dhe puna e tyre u vlerësua me ditë të tëra publikisht si nga pozita edhe opozita, mirëpo ata morën vetëm fjalët e mira. Puna e tyre duhet të shpërblehej me para, pasi qëndruan në punë jashtë orarit zyrtar.
Por orët shtesë nuk u paguan, 28 qershori iku dhe bashkë me të u harruan edhe paratë. Më pas punonjësit e policisë, me shpresën se do ti merrnin lekët e punës që kishin kryer gjatë zgjedhjeve të 28 Qershorit, urdhëroheshin të qëndronin në gatishmëri edhe për protesta të ndryshme (që kanë qenë të shumta gjatë këtyre muajve të fundit) jashtë orarit zyrtar, përsëri me shpresën se do të paguheshin.

Zgjedhjet e pjesshme

Edhe në rastin e zgjedhjeve të pjesshme në disa qendra votimi në Tiranë u pa që policët kaluan natën pas dyerve të qendrave të votimit për të ruajtur “kutitë”. Zyrtarët e Policisë së Tiranës bënë të ditur se nuk kanë neglizhuar shpërblimin e punonjësve të policisë për orët suplementare, por nuk ka fond dhe një gjë të tillë nuk e miraton Ministria e Financave, madje krerët e policisë së kryeqytetit janë të parët që insistojnë për shlyerjen e efektivave blu dhe shprehen të irrituar për shpërfilljen e shtetit. Kur edhe 20 ditë kanë mbetur për vitin 2009 dhe paratë e orëve suplementare ende nuk janë shlyer për këtë vit, krerët e Policisë së Tiranës urdhërohen që ti kompensojnë efektivat blu duke u dhënë ditë pushim, pasi nuk mund të shlyhen me para. “Punonjësit e policisë qëndrojnë jashtë orarit zyrtar për të marrë para, ata kanë nevojë për para dhe jo për ditë pushimi”, - bënë të ditur burime nga policia. Kështu, duket se ka pak gjasa që policët të marrin paratë e këtij viti, kur gjatë këtij viti që ka qenë jo pak i ngarkuar, kanë punuar me orë të tëra, madje, sipas një deklarate të kryeministrit Berisha, policët rrezikojnë jetën e tyre për tu shërbyer qytetarëve.

Shpërblimi në fundvit

Si të gjithë punonjësit e administratës edhe uniformat blu do të shpërblehen me 10 mijë lekë të reja për festat e fundvitit. Ndërkohë, sipas burimeve nga policia, bëhet e ditur se për festat e fundvitit, punonjësit e policisë do të shpërblehen, por ende financat nuk kanë marrë miratimin për nisjen e përllogaritjeve për çdo punonjës.
Ky lajm është publikuar: 11/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›