E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH: “Rritje page për mjekët e specializuar”

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Mjekët e specializuar do të mund të përfitojnë pagë shtesë në vitin 2010. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore prezantoi dje skemën e re të pagave të mjekëve që punojnë në Poliklinika. “Të gjithë mjekët që do të kryejnë edukimin e vazhdueshëm do të jenë më të privilegjuar sa u përket financimeve të dhëna nga ISKSH, po ashtu edhe Poliklinikat do mund të marrin bonuse për çdo mjek që ka kryer këtë edukim,” bëri të ditur dje drejtoresha e ISKSH, Elvana Hana, e cila shpjegoi më tej se për të gjitha qendrat shëndetësore dhe për mjekët që e kanë kryer edukimin në vazhdim do të jepet financimi përkatës, që në kontratat e vitit 2010. Edukimi i vazhduar që është procesi përmes të cilit mjekët përditësojnë dijet e tyre me të rejat e fundit në fushën mjekësore, do të vendosë edhe nëse një mjek do të qëndrojë apo jo në punë. Vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, gjatë Konferencës së Parë Kombëtare mbi Edukimin e Vazhdueshëm, u shpreh se ata mjekë që nuk do ta kenë këtë rifreskim të dijeve të tyre, nuk do të jenë pjesë e stafeve mjekësore në spitale.

Skema e re

Pra, duke filluar nga viti 2010, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të paguajë një bonus për mjekët që, nëpërmjet trajnimeve (përditësimit të njohurive) arrijnë të realizojnë kreditet e përcaktuara nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Bëhet fjalë për një bonus prej 5 % mbi pagën që shpërndahet çdo 3 muaj, ku një nga indikatorët e rëndësishëm është trajnimi i stafit mjekësor. Deklarata u bë dje nga drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana, e cila mori pjesë në Konferencën e Parë Kombëtare për Edukimin e Vazhdueshëm të Profesionistëve të Shëndetësisë në Shqipëri. Në këtë konferencë ishin të pranishëm ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ambasadorja e Zvicrës në Tiranë, Yvana Enzler, dhe përfaqësuesit më të lartë të sistemit shëndetësor në vend.

Drejtoresha Hana

“Që nga viti 2008 Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur procesin efikas të lidhjes së pagesës së bonusit në shërbimin shëndetësor parësor me realizimin e disa indikatorëve, ku edukimi i vazhdueshëm është një nga treguesit e rëndësishëm, pasi jemi të bindur se përditësimi i njohurive të stafit mjekësor, do të sjellë një cilësi më të mirë shërbimi për pacientët”,- u shpreh Hana në fjalën e saj. Ajo që u vu re pas përfshirjes së këtij indikatori në pagesën e bonusit, ishte një interesim i konsiderueshëm për tu trajnuar nga ana e stafit të qendrave shëndetësore, si i mjekëve ashtu edhe i infermiereve. Ndërkohë, nga ana e Institutit janë marrë të gjitha masat për krijimin e lehtësirave financiare për ndjekjen e këtyre trajnimeve.

Afati

“Matja çdo 3 muaj e këtij indikatori për përfitimin e bonusit nga qendrat shëndetësore, duke filluar nga viti 2010 do të bëhet duke marrë për bazë kreditet e përcaktuara tashmë nga Qendra Kombetare e Edukimit të Vazhdueshëm. Nga ana jonë po përgatiten kontratat e reja, në të cilat do të përfshihen pikavarezhet që jepen nga Qendra e Edukimit në Vazhdim për mjekët dhe për Qendrat Shëndetësore. Plotësimi i këtyre krediteve do të merret parasysh dhe për të gjithë mjekët e qendrave shëndetësore që e kanë kryer edukimin në vazhdim, do të jepet financimi përkatës, që në kontratat e vitit 2010”,- tha drejtoresha e ISKSH-së. Numri i kreditove, i përcaktuar nga Qendra e Edukimit në Vazhdim për vitin 2010 është 10 dhe ky numër do të rritet çdo vit me nga 10 kredite, derisa në vitin 2014 do të bëhet 50 kredite. “Pjesa që do të paguajë ISKSH ka të bëjë me bonusin prej 5% që jepet për Qendrat Shëndetësore. Nga ky bonos, 10 pikë janë përcaktuar për trajnimet dhe ai do të jepet për të gjitha Qendrat Shëndetësore në bazë të realizimeve përkatëse nga ana e vetë mjekëve”,- u shpreh drejtoresha e ISKSH-së.

Projekti zviceran

Më tej ajo theksoi se, nisur nga fakti që ngritja dhe funksionimi i një sistemi të mirëfilltë të edukimit të vazhdueshëm për profesionistët e shëndetësisë është një sfidë gjithëpërfshirëse e sistemit tonë shëndetësor, vlerësonte posaçërisht projektin e Qeverisë Zvicerane për asistencë teknike ndaj institucioneve shqiptare lidhur me edukimin e vazhdueshëm, si një element thelbësor në punën e mjekëve, e në këtë mënyrë me ndikim direkt në shërbimin shëndetësor në vend. Le të shërbejë ky takim mes profesionistësh për të realizuar një koordinim më të mirë mes institucioneve, në funksion të qëllimit tonë të përbashkët, rritjes së cilësisë së shërbimit për pacientët”, - e mbylli fjalën e saj drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Ky lajm është publikuar: 11/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›