“Pagat dhe pensionet do të shpërndahen sipas ligjit, Edvin Rama dhe pinjollët e bllokut vazhdojnë të shpifin”
Qeveria hedh poshtë parullat e shpifjes të Edvinit, për bllokimin e pagesave mujore Zyra e shtypit pranë kryeministrit reagoi dje lidhur me mashtrimet e servirura ditët e fundit në media nga Edi Rama dhe ndjekësit e tij, se janë bllokuar pagesat mujore për qytetarët shqiptarë dhe punonjësit e administratës. Qeveria sqaron opinionin publik se pagesat për pagat dhe pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje të tyre. “Prej tre ditësh me radhë, Edvin Rama dhe ekipi i pinjollëve të bllokut, përmes mediave, të cilat i kanë vetë nën kontroll dhe konferencave për shtyp, po vazhdojnë të shpifin e mashtrojnë se qeveria shqiptare nuk po jep rrogat për administratën dhe pensionet për pensionistët e vendit. Kjo është një tjetër gënjeshtër e turpshme që Edvin Rama shpërndan pa iu skuqur aspak faqja, përpara 800 mijë punonjësve dhe pensionistëve të vendit, të cilët kanë marrë pa përjashtim, çdo njëri prej tyre, rrogën dhe pensionin e plotë ashtu siç u takon, si dhe po marrin, si ndër të paktit në Evropë, shpërblimin e fundvitit. Qeveria shqiptare garanton edhe një herë se pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese”, thuhet në njoftimin zyrtar të Qeverisë.Qeveria shqiptare ka në dispozicion fondin prej 15 milion dollarësh, nga i cili do të bëhet i mundur shpërblimi prej 2500 lekë për pensionistët, si dhe shpërblimin e fundvitit për punonjësit e administratës, shpërblim i cili për rrogat e ulëta të administratës do të jetë 15 mijë lekë dhe për rrogat e tjera do të jetë 10 mijë lekë....