Polici fals me 40 kile drogë

Mbante kundratabelë dhe kishte veshur një jelek fosforeshent si efektiv i Qarkullimit Rrugor
GJIROKASTËR - Vendosja në xhamin e parë të makinës të një shenje “kundratabelë”, si dhe një jelek fosforeshent nga ata që përdorin efektivat e Policisë së Qarkullimit Rrugor ka qenë mënyra e zgjedhur për të mbuluar udhëtimin e rrezikshëm me një sasi të madhe droge nga Gjirokastra drejt Tepelenës, e ndoshta edhe më tutje. Një 23-vjeçar, transportues droge, ra dje në prangat e policisë së Gjirokastrës, pasi iu gjetën në automjet 40 kg lëndë narkotike të llojit marihuanë. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bllokimi i ngarkesës me drogë dhe arrestimi i Astrit Kermezos, lindur në Shkodër dhe banues në Gjirokastër, është bërë gjatë një operacioni të mirëorganizuar të koduar “Vazhdimi” nga Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar.
Automjeti tip “Benz” me targë DR 80 44 D, që drejtohej nga 23-vjeçari Astrit Kermezo, është ndaluar për t’iu nënshtruar një kontrolli në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, konkretisht në vendin e quajtur Fusha e Shtëpëzit, afër kantierit të ndërtimit të autostradës, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në të ndodhej lëndë narkotike nga Lazarati. “Pasi ndoqëm automjetin për afro 15 minuta, i kërkuam drejtuesit të tij të hapte krahun që të nisnim një kontroll. Në bagazhin e mjetit janë evidentuar 4 pako në formë katrore të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe, brenda së cilave kishte lëndë narkotike e dyshuar si marihuanë. Secila prej tyre peshonte nga 10 kilogramë”, thonë burime policore, pjesëmarrëse në operacion. Gjatë hetimeve të para rezultoi se targa e mjetit ishte false, ndërkohë që gjatë kontrollit policia konstatoi se drejtuesi i automjetit kishte vendosur në makinë një tabelë policie të qarkullimit rrugor dhe një jelek fosforeshent, po të Policisë Rrugore. “Duket se ato do të përdoreshin prej tij për t’iu shmangur kontrollit të postblloqeve të policisë, duke u hequr si polic rrugor”, thonë burimet policore. Gjatë vazhdimit të kontrollit në automjet, policia gjeti në kroskotin e makinës edhe 41.500 lekë të reja, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bazë të provave të mbledhura, uniformat blu arrestuan në flagrancë 23-vjeçarin Kermezo, që akuzohet për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”, si dhe sekuestrimin e lëndës narkotike, sasisë së lekëve dhe automjetit në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë, gjatë shoqërimit për në policinë lokale shoferi i mjetit ka pohuar për blutë se nuk ka pasur dijeni për ngarkesën e drogës që ishte në automjet. Organet e hetimit po punojnë për zbardhjen e plotë të kësaj vepre penale, për destinacionin e lëndës narkotike, si dhe për kapjen dhe vënien para drejtësisë të personave të tjerë të përfshirë në këtë trafik.