E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagesat, rebelohen avokatët kryesisht

Prej një viti avokatët e zgjedhur nga prokuroria apo gjykata nuk kanë marrë pagesat dhe detyrimet që prokuroria dhe gjykata ka ndaj tyre


Shoqata e Avokatëve Penalistë, kërcënon se nëse pagesat nuk kryhen deri me 5 prill, ata do bojkotojnë hetimet dhe proceset


TIRANË- "Nuk ke lekë për avokat, të cakton shteti një të tillë". Kjo është fraza që i thuhet çdo personi të arrestuar apo që ndodhet në fazë gjykimi nga prokurori apo gjyqtari i çështjes për personat që nuk kanë mundësi financiare për ta përballuar një avokat.


Në momentin që i arrestuari e pranon këtë "ofertë" për shkak të pamundësisë së kushteve financiare, atij i caktohet një avokat kryesisht, që nuk janë të pakët në listat e pritjes por rreth 100 të tillë dhe shumica penalistë.


Për një seancë gjyqësore një avokat i tillë paguhet nga 500 deri 1 mijë lekë të reja, që sipas ligjit tërhiqen çdo fund muaji. Për një çështje në Shkallën e Parë paguhet nga 10- 30 mijë lekë të reja, që merren në fund të procesit penal.


Edhe pse këto tarifa janë caktuar me ligj për t'u shlyer nga prokuroria dhe gjykata, që nga qershori i 2009, nuk janë shlyer detyrimet kundrejt avokatëve kryesisht. Ky fakt ka detyruar kryetarin e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Sajmir Vishën, të reagojë duke i kërkuar institucioneve përkatëse të paguajnë detyrimet, në të kundërt do bojkotohen seancat gjyqësore dhe hetimet paraprake të çështjeve. "Prej qershorit të 2009 e deri më tani, asnjë nga avokatët e caktuar kryesisht nga prokuroria apo gjykata nuk kanë marrë detyrimet që iu takojnë sipas ligjit.


Kjo ka bërë që shumë avokatë, afërsisht 100, të revoltohen dhe i janë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë për këtë problem. Ne si shoqatë, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme dhe gjykatave të Shkallës së Parë dhe të Apelit që deri më pesë prill t'i shlyejnë detyrimet për avokatët,- tha Visha për Shekullin.


Sipas tij, në të kundërt do bojkotohen të gjitha çështjet hetimore e gjyqësore për tri ditë. Sipas tij, shuma e cila është pa u paguar avokatëve kap shifrën e disa milionave lekë. "Shteti më i varfër në Evropë, që është Lituania i paguan avokatët kryesisht me 800 euro në një çështje hetimore ose gjyqësore, ndërsa në Shqipëri paguhen me pagesë qesharake, nga 80 euro deri maksimumin 230 euro.


Ky është një turp për qeverinë dhe drejtësinë në vend",-tha avokat Visha. Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, në një prononcim për median, pranoi se është në dijeni të këtij fakti, dhe sipas tij i është kërkuar Ministrisë së Drejtësisë zgjidhja e problemit. Avokatët kryesisht caktohen nga prokuroria në fazën hetimore, por edhe nga gjykata gjatë fazës së gjykimit të çështjeve.


Shumica e këtyre avokatëve marrin pjesë në fazën hetimore dhe në seancat e vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë ku caktohet nga gjykata për mbrojtjen e interesave ligjore të të arrestuarve, më tej ata zëvendësohen me avokatë të zgjedhur.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›