Vrasja për pronësinë, autor një 80-vjeçar

PRONAT/ Llukan Kapurani është vënë në pranga nga policia e Vlorës si autor i vrasjes së Hysen Demajt
Mësohet se mes viktimës dhe të moshuarit ka nisur një konflikt për pronën dhe janë sharë ashpër mes tyre
VLORË - Një 80-vjeçar është i dyshuari kryesor për vrasjen e ndodhur dy ditë më parë në fshatin Sevaster të Vlorës ku viktimë ishte 40-vjeçari Hysen Demaj. Policia ka dhënë edhe emër konkret për vrasjen, e cila sipas saj është kryer nga një i moshuar, fqinj me viktimën. Llukan Kapurani, 80 vjeç, ndodhet tashmë në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Vlorës, si i dyshuari kryesor në këtë vrasje. Burimet nga policia bëjnë të ditur se gjithçka ka ndodhur si pasojë e konflitktit të pronësisë mes autorit të krimit, si dhe viktimës, ndërsa ditën e enjte një debat mes tyre ka ndezur sërish gjakrat. Dëshmitë e marrë nga të afërm dhe të njohur pas vrasjes së ndodhur kanë hedhur dritë mbi këtë konflikt, ndërsa po në këtë ditë është kufizuar edhe numri i personave të dyshuar, ndërsa u bë e ditur se dy prej fqinjëve të 40-vjeçarit Demaj ishin shoqëruar për t'u marrë në pyetje.
Mësohet se Llukan Kapurani dhe Hysen Demaj ishin fqinjë. Ky fakt është bërë me dije për blutë qysh ditën e djeshme, teksa kanë nisur hetimet mbi vrasjen. Të afërm të viktimës kanë hedhur dyshimin e vetëm mbi konfliktin që kishin për tokën, duke mos menduar se kjo do t'i merrte deri jetën 40-vjeçarit Demaj, baba i dy fëmijëve. Fqinjët mësohet të jenë zënë edhe pak ditë më parë me njëri-tjetrin me fjalë, sherr që ka përfunduar me ofendime reciproke dhe shprehje nga më fyeset. Pasi kanë marrë në pyetje disa persona, është shoqëruar edhe i moshuari Kapurani. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në momentin e vrasjes, i moshuari ka qenë me një çifte në krah dhe hipur mbi një mushkë. Plaku mendohet se e ka qëlluar 40-vjeçarin pas debateve dhe më pas është larguar. Nga ana tjetër, dyshohet që ai të ketë edhe çrregullime mendore, dyshime që kanë ardhur pasi është marrë në pyetje, mbi mënyrën sesi ai është është shpjeguar. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia e Vlorës në banesën e 80-vjeçarit është gjetur çiftja, një armë kallashnikov, si dhe disa fishekë, të cilat janë sekuestruar.
Ngjarja për të cilën është arrestuar Llukan Kapurani ndodhi dy ditë më parë në fshatin Sevaster të Vlorës, ku u gjet i vrarë me armë gjuetie, Hysen Demaj. Ai është qëlluar me një çifte, nga plaga e së cilës ka gjetur vdekjen. Qysh ditën e parë të ngjarjes efektivët e policisë veçuan si pistën më të mundshme konfliktin e pronësisë. Gjetja e provave në shtëpinë e plakut ka vërtetuar dyshimet. Tashmë mbi 80-vjeçarin rëndojnë akuzat e "vrasjes" dhe "armëmbajtjes pa leje", ndërkohë që gjithçka është kryer pas konfliktit për tokën mes dy bashkëfshatarëve.