E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajaziti: Situata në veri, mbetet sfidë për MB

Prishtinë -Ministri i Brendshëm i Kosovës, Zenun Pajaziti theksoi se situata në veriun e Kosovës ka qenë dhe mbetet sfidë për Ministrinë e Brendshme, duke shtuar se ministria të cilën e drejton, ka qenë e kujdesshme në ndërmarrjen e masave për të mos u krijuar imazh i keq për Kosovën. Gjatë konferencës së fundit për gazetarët për vitin 2008, Pajaziti numëroi edhe një varg suksesesh, por edhe sfidash që e presin Ministrinë gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa bëri edhe prezantimin e certifikatave të reja të gjendjes civile të cilat kanë edhe shenjat e sigurisë.

Menaxhimi i rendit dhe sigurisë publike gjatë shpalljes së pavarësisë dhe më pas, prodhimi i dokumenteve të identifikimit, shfrytëzimi i buxhetit, puna në përmbushjen e obligimeve në procesin e integrimit në BE, janë disa nga sukseset e vlerësuara nga Ministria e Brendshme për punën e saj gjatë vitit 2008.

Ndërsa situata në veriun e Kosovës ka qenë sfidë gjatë gjithë vitit dhe vazhdon të mbetet e tillë, tha Pajaziti. Ai përmendi problemet me pikat 1 dhe 31 dhe kontrabandën, ndërsa shtoi se edhe Ministria ka qenë e përfshirë, së bashku me partnerët ndërkombëtar në menaxhimin e situatës.

“Kemi qenë të kujdesshëm për të mos krijuar situata të cilat do ta dëmtonin politikisht imazhin e vendit tonë”, tha Pajaziti Po kështu sot Ministria e Brendshme prezantoi certifikatat e reja të gjendjes civile të cilat janë punuar në Hungari e që kanë edhe shenjat mbrojtëse. “Pra kemi të bëjmë me një dokument të sigurisë së lartë i cili deri më tash nuk është përdor”, theksoi ai.

Ndryshe ministri Pajaziti edhe një herë përsëriti se dhënia e letërnjoftimeve është pa pagesë, ndërsa premtoi përmirësim të shërbimit ndaj qytetarëve për dhënien e dokumenteve. telegrafi/start

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›