E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çeku: Nuk ka plan tjetër përveç paketës "Ahtisari"

"Ne nuk mund të pranojmë plan mbi plan, përpos atij të Marti Ahtisarit, tha dje në një takim me gazetarët kryetari i PSDK-së, Agim Çeku. Arsye e qartë, pse plani nuk mund të pranohet është se Beogradi po bën përpjekje të drejtpërdrejtë që të dëshmojë se statusi i Kosovës nuk është i mbyllur dhe se Serbia ende ka sovranitet mbi Kosovën. Ne kërkojmë që ky plan të shpallet jo ekzistent dhe të ndërpriten bisedimet rreth tij", u shpreh Çeku. "Plani 6-pikësh e ka origjinën e tij që nga 12 qershori i këtij viti, dalë nga letra e sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun. Por ai është neglizhuar nga institucionet tona", tha Agim Çeku. Ai deklaroi se ka reaguar me kohë se si duhet t‘i përgjigjemi kësaj letre, por fatkeqësisht ka pasur një përgjigje të zbehtë nga institucionet tona. Andaj që nga ajo ditë, Beogradi ka punuar që këtë plan ta kushtëzojë me shtrirjen e EULEX-it. "Ne si Parti Social Demokrate kërkojmë nga institucionet e Kosovës t‘i thonë jo bisedimeve rreth këtij plani", tha Çeku. "Nga institucionet Kosovës që tani, që sot, ky plan 6-pikësh të shpallet inekzistent dhe duhet të ndërpriten bisedimet për përmbajtjen e këtij plani. "Dëgjuam nga një zyrtar i lartë i qeverisë, se qëndrimi i qeverisë së Kosovës mund të ndryshojë nëse ndryshon përmbajtja e planit. Me këtë ata lënë të kuptohet se mund të negociojnë përmbajtjen e planit dhe deri në fund të ditës mund ta kemi edhe një plan tjetër", ka thënë Çeku.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›