Pajisja e shqiptarëve me letërnjoftime, procesi shtrihet në 60 për qind të vendit
Zëdhënësi i MB-së hedh poshtë akuzat e radhës të Partisë Socialiste
TIRANE - Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike po ecën normalisht sipas të gjithë planifikimeve të parashikuara. Kështu ka deklaruar dje zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Fatmir Konja, në kundërpërgjigje të akuzave të deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj.
“Procesi ka filluar dhe vazhdon normalisht në Tiranë, procesi ka filluar në Durrës, procesi ka filluar në Shkodër, procesi ka filluar në Elbasan, procesi ka filluar në Lezhë, procesi ka filluar në Korçë, procesi ka filluar në Kamëz, procesi ka filluar në Lushnjë. Në fillimin e javës procesi fillon në Fier, Vlorë dhe Gjirokastër, çka përbën mbulimin deri më tani të rreth 60 për qind të popullsisë së vendit. Vetëm në Tiranë kanë aplikuar deri më tani 100 mijë qytetarë”, deklaroi Konja.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, qeveria shqiptare ka ofruar për herë të parë standardet më të larta të infrastrukturës zgjedhore.
“Për herë të parë sot ka një regjistër elektronik të shtetasve shqiptarë. Për herë të parë sot ka lista zgjedhësish pa dublikime.
Për herë të parë sot paraqiten listat paraprake katër muaj përpara zgjedhjeve.
Për herë të parë sot ka lista zgjedhësish me adresë të saktë të qendrës së votimit.
Ministria e Brendshme në bashkëpunim me të gjitha njësitë e qeverisjes vendore ka realizuar njoftimin individual të të gjithë qytetarëve që nuk kanë pasaportë, për të aplikuar të parët për letërnjoftime elektronike”, theksoi ai.
Zëdhënësi Konja nënvizoi në këtë kuadër se “dështakët 8-vjeçar të qeverisjes socialiste nuk do të munden të sfumojnë një nga sukseset më të mëdha të qeverisë Berisha, e cila u ofroi qytetarëve shqiptarë atë që u kishte premtuar që në ditët e para të saj”.
Fatmir Xhafaj konspirativ, sheh ëndrra me manipulime zgjedhjesh
Vetëm pak çaste më parë selia rozë kishte reaguar ndaj kësaj çështje përmes deputetit Fatmir Xhafaj. Sipas tij, procesi i ardhshëm zgjedhor është në rrezik, pasi “1/4 e votuesve të listës potenciale të zgjedhësve ose rreth 1/3 e zgjedhësve të mundshëm për të votuar nuk mund të votojnë, sepse nuk kanë një prej dokumenteve identifikues që kërkon kodi zgjedhor”.
Sipas tij qeveria po tregohet tërësisht e pa aftë të mirëorganizoj këtë proces, paaftësi të cilën po përpiqet ta mbulojë me deklarime e premtime demagogjike e mashtruese ndaj opinionit publik dhe partnerëve ndërkombëtar lidhur me afatet e këtij procesi. “Ne shohim me shqetësim se prapa këtij procesi të rrezikuar seriozisht fshihet një skenar politik për ta dështuar pajisjen me letërnjoftim të shtetasve me qëllim krijimin e mundësive për manipulim të procesit të ardhshëm elektoral”, rrëfeu Xhafaj dje para gazetarëve ëndrrën tij të fundit.
“Është Kryeministri ai që po pengon këtë proces në mënyrë të qëllimshme për të rikthyer ëndrrën e tij të votimit me certifikatat që ai i ka shumë për zemër. Ne mendojmë se është kjo arsyeja e vërtetë që Kryeministri, në të kundërt të deklarimeve të tij publike, nuk po lejon krijimin e Komisionit Parlamentar ad-hoc për Monitorimin e Procesit të Përgatitjes për Zgjedhje dhe drejtimin e tij nga ana e opozitës duke i hequr asaj mundësinë e monitorimit real dhe të drejtpërdrejtë të procesit”, vijoi Xhafaj të artikulonte “argumente”, për të bërë ëndrrën e parë prej tij, sa më të besueshme.