Kuponët për aplikimin kushtojnë ende 1200 lekë
Në Korçë, kuponët e aplikimit për kartat e identitetit ende shiten me 1200 lekë. Kjo ka sjellë reagime të aplikantëve, të cilët kanë nxituar të nisin procesin e aplikimit, për të shmangur penalizimet. Por ndryshe nga sa është deklaruar nga qeveria, atyre u është kërkuar të paguajnë 1200 lekë, duke krijuar konfuzion. Banorët thonë se nuk po zbatohet vendimi për të bërë aplikimin me 200 lekë, për rastet kur shtetasit nuk janë të pajisur me pasaportë. Sipas tyre, procesi ka sjellë sorollatje, për faktin se personat që nuk e kanë emrin në lista duhet të marrin me vete certifikata dhe vërtetime nga policia, por edhe për shkak të pagesës prej 1200 lekësh pa u dhënë sqarime. Shumë aplikantë pretendojnë se edhe pse nuk kanë pasur pasaporta kanë paguar nga 1200 lekë me pretendimin se kjo pagesë do t‘u kompensohet më vonë. Pranë sporteleve të postës shqiptare sqarohet se shtetasit ende nuk e kanë të qartë se cilat kategori përfitojnë nga pagesa prej 200 lekësh dhe kjo është edhe arsyeja që ka sjellë konfuzionin dhe reagimet e shumta nga ana e tyre. Nga ana tjetër, pensionistët ankohen se paguajnë nga 1200 lekë edhe pse nuk kanë pasaporta 10-vjeçare dhe u ishte premtuar nga qeveria se do të subvencionoheshin nga shteti. Pranë postës funksionojnë dy sportele për prerjen e kuponëve, një për pagesën prej 1200 lekësh dhe një tjetër për kategoritë që përfitojnë nga ulja e tarifave në 200 lekë. Për shkak se zyra e gjendjes civile nuk shpërndan certifikata, ose numri i tyre është i kufizuar, njerëzit presin më kot në radhë, ose nuk mund të bëjnë pagesën prej 200 lekësh, duke u detyruar të paguajnë 1200 lekë, njëlloj si shtetasit që kanë një pasaportë.