Meta në Korçë: “Punësim për të gjithë të rinjtë që mbarojnë studimet”
Lideri i LSI-së zhvilloi një takim me të rinj e të reja në qytetin e Korçës, në kuadër të fushatës “Koha për veprim” dhe “Rinia në veprim”. Qindra të rinj, maturantë të gjimnazeve dhe studentë të Universitetit të Korçës, ishin mbledhur në sallën e kinema “Millenium” në Korçë. Në këtë takim kreu i LSI-së ishte i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, sekretari i Përgjithshëm i LRI-së, Besjan Pesha dhe nga drejtuesit e degës së LSI-së në Korçë. Në fjalën e tij në këtë takim kreu i LSI-së tha se qeverisja aktuale e kryeministrit Berisha ka bërë që shumë të rinjve t’iu mungojë perspektiva për të ardhmen. Meta tha se qeverisja e re që do të krijohet pas 28 qershorit, e drejtuar nga LSI-ja, do të sigurojë punësim për të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe kryesisht për ata që përfundojnë studimet. Ai tha se LSI-ja do të veprojë për të ndërtuar një sistem të Maturës Shtetërore dhe të Kartës së Bolonjës, që të mos i fusë në labirintet e burokracive të rinjtë, por t’i edukojë dhe t’i orientojë ata drejt punësimit të sigurt. “Të rinjtë shqiptarë nuk e meritojnë këtë mungesë perspektive që ofron qeverisja dhe politika e sotme. Të rinjtë shqiptarë meritojnë një veprim energjik për të dalë nga kjo gjendje dhe për të krijuar një perspektivë më të mirë, që e meriton rinia dhe vendi ynë. E ardhmja e vendit tonë dhe e kombit tonë kërkon që të rinjtë të kenë më shumë besim në aftësitë e tyre, por dhe të krijohen më shumë hapësira në vendimmarrje për fatet e tyre dhe të vendit tonë. Shqipëria sot kërkon një drejtim dhe veprim energjik për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme. Të rinjve shqiptarë u duhet një veprim dhe qeverisje që krijon vende të reja pune. Të rinjve shqiptarë u duhet një qeverisje që vepron për t’u krijuar mundësi të gjithë atyre dhe jo vetëm fëmijëve të atyre që janë në pushtet dhe gëzojnë privilegje për veten e tyre. Ne do të krijojmë një sistem edukues, i cili do t’i orientojë të rinjtë drejt një tregu të punës, për të mundësuar punësimin e gjithë atyre që përfundojnë studimet”, - tha Meta.
10 Prill 2009