Pajtimi i vështirë

“Le të flasim të gjithë sinqerisht, tuaregët ishin me Gaddafin”, klith një luftëtarë revolucionar, i ulur në tavolinë.
Ali Aghali, pjesëtar i fisit të tuaregëve ngadalë vendos duart mbi tavolinë. Ai pret deri në momentin kur luftëtari të mbarojë fjalimin.
“Ne nuk jemi përkrahës të Gaddafit. Të gjithë kanë qenë me Gaddafin para luftës, ne jemi ndarë nga ai”, thotë ai duke qeshur.
Luftëtari, nga qytetin Zintan, në juglindje të Libisë, ndërhyn:”Kanë qenë”.
Gjatë takimit në kompleksin e shfrytëzuar nga Muammar Gaddafi në afërsi të qytetit Obari, luftëtarët nga Zintani dhe delegacionet ushtarake dhe civile u tubuan, për t’u siguruar se revolucioni ka arritur në tërësi.
Por tendosjet mbesin të larta. Shumë fise nomade të tuaregëve, të cilët jetojnë në territorin e Saharës Jugore, e cila shtrihet ndërmjet kufijve të Libisë dhe fqinjëve të saj, mbështetën Gaddafin deri në momentet e fundit të luftës.
Në anën tjetër, luftëtarët arabë nga Zintani krenohen me shpejtësinë me të cilën janë kthyer kundër Gaddafit. Brigadat nga Zintani arritën këtu në korrik, për të luftuar luftëtarët besnikë të Gaddafit dhe disa prej tyre kanë qëndruar në Obari, duke theksuar se synojnë të çarmatosin tuaregët, të ndërmjetësojnë grindjet e mundshme dhe të pajtojnë rajonin me qeverinë e përkohshme në veri, pra me Këshillin Kombëtar Tranzitor.
Shumë prej tyre i shikojnë nomadët me dyshim. “Jam dërguar nga ministria e Mbrojtjes, për të rregulluar gjërat këtu”, thotë një komandant, duke akuzuar tuaregët se kanë luftuar për Gaddafin dhe se kanë dhunuar femra në qytetet veriore Misrata dhe Zavija, ku pati përleshje të përgjakshme gjatë luftës qytetare.
“Do të rregulloj gjërat. Ne jemi nga Zintani dhe jemi revolucionarë të vërtetë. Ne duhet të kontrollojmë gjërat këtu”, shton ai.
Këshilli Kombëtar Tranzitor i Libisë tani përballet me detyrën e vështirë për të pajtuar grupet e ndryshme në vend, tani pasi që Gaddafi nuk është më, pas 42 viteve në pushtet dhe Këshilli ka dërguar delegacione në pjesët e ndjeshme në gjithë vendin.
Në qytetet anembanë Libisë banorët lokalë theksojnë se shumë njerëz janë vrarë gjatë aksioneve të ish-brigadave kryengritëse, të cilat kërkon hakmarrje kundër njerëzve, për të cilët besonin se kanë luftuar për Gaddafin. Ekziston frika për dhunë rajonal, në veçanti në ish-qendrat e Gaddafit, Sirte, Valid dhe Sabha, rreth 200 kilometra larg Obarit.
Rajoni ishte një nga bastionet e fundit të Gaddafit në Libi dhe u pushtua në tërësi nga forcat besnike të Këshillit Tranzitor një muaj pas përmbysjes së Gaddafit.
Shumë tuareg kanë përkrahur Gaddafin, ngase ai në vitet e 70-ta ka mbështetur kryengritjet e tyre kundër qeverive të Malit dhe Nigerisë, ku jeton një popullatë e madhe tuarege, e më vonë ka lejuar vendosjen e rreth 100 mijë tuaregëve në Libi.
Këto fise janë të rëndësishme për sigurinë rajonale, ngase tuaregët kanë ndikim të madh në zonat e shkretëtirës, të cilat shpesh për operacionet e tyre shfrytëzohen nga trafikantët e drogës dhe militantët islamikë.
Tuaregët theksojnë se ata janë viktima të propagandës negative, se janë cilësuar si mercenarë të Gaddafit, ngase ai ka shfrytëzuar afrikanët me ngjyrë për të luftuar në veri dhe se janë akuzuar se kanë strehuar familjen dhe personat besnik të Gaddafit, akuzë kjo e cila mbështetet nga shumë njerëz në veri, përfshirë këtu edhe kryeministrin e qeverisë së përkohshme.
“Në shkretëtirë ende ka shumë përkrahës të Gaddagit, shumica prej tyre janë persona me ngjyrë, të cilët flasin gjuhën arabe. Ata mendonin se nëse Gaddafi përmbyset, ata do të bëhen sërish skllav. Para Gaddafit, jeta për ta ka shumë e vështirë”, thotë Aghali, i cili ka ardhur për t’u takuar me luftëtarët nga Zintani dhe të diskutojë me ta se çfarë do të ndodhë.
“Por pjesa më e madhe e tuaregëve nuk janë përkrahës të Gaddafit, kemi parë shumë aeroplanë duke sjellë mercenarë nga shtetet afrikane, për të luftuar në veri gjatë luftës”, shton ai.
Por pjesëtarët e fiseve tuarege tentojnë të diskutojnë me qetësi me pushtetarët e ri në vend.
Edhe pse në këtë rajon nuk ka banorë të gjeneratës së dytë dhe të tretë me prejardhje nga Zintani, shumica e luftëtarëve në këtë rajon arritën gjatë luftës dhe tani po sillen si forcë okupuese, të armatosur deri në dhëmbë dhe duke patrulluar nëpër rrugë.
Gjatë takimit në Obari, si përfaqësuesit nga Zintani, ashtu edhe ata tuaregë, tentuan të krijojnë përshtypjen se ishte arritur përparim dhe shpesh bënin shaka mes vete. Por nganjëherë, situata tendosej tej mase.
Tuaregëve ju ofrua mundësia që të shprehin pakënaqësitë e tyre. Një prej tyre u ankua se i është vjedhur vetura dhe kërkoi lirimin e një tuaregu, i cili luftoi për Gaddafin në Zindan.
Por njëri prej luftëtarëve revolucionarë e kundërshtoi:”Ata kanë gjak në duart e tyre. Tuaregët kanë nënshkruar marrëveshje me Gaddafin”.
Përfaqësuesit e Këshillit Tranzitor arritën njëlloj përparimi, por megjithatë nga Obari i larguan të lodhur dhe të rraskapitur.
“Duhet të kthehemi sërish. Fillimisht duhet të zgjidhim grindjet personale, e më pas duhet të vendosim njerëzit në shtegun e drejtë. Duhet të grumbullojmë armët. Duhet të hapim shkolla. Ngase këtu revolucioni ka arritur më vonë. Disa nga fshatrat jugore as që kanë njohuri se ka ndodhur një revolucion”, thotë një pjesëtar i delegacionit ushtarak të Këshillit Tranzitor.
Mossa Elkony, përfaqësues i tuaregëve në Këshill, thotë se lufta ka lënë plagë psikologjike, të cilat kërkojnë që vëmendja të përqendrohet në pajtim.
“Shpresoj se tuaregët mund të rikthejnë besimin që e kanë humbur. Për fat të keq, ata kanë qenë të përfshirë në këtë luftë. Kjo bën që njerëzit të urrejnë tuaregët. I frikësohemi shkëndisë. Duhet ta parandalojmë atë, ngase ajo mund të shndërrohet në zjarr”, nënvizon Elkony.