E Diel, 1 Nëntor 2026

Pak gola

Mungesë e madhe në këtë Botëror, të paktën deri tash, ishte spektakli: në 36 ndeshjet e para të zhvilluara në Afrikën e Jugut 2010 nuk ka pasur ndonjë ndeshje dramatike për ndonjë sulm kardiak te tifozët dhe pasionantët e futbollit. Golat e shumta nuk janë sinonim i kualitetit të lartë të lojës, por sigurisht se ndeshjet me gola të shumta dhurojnë më shumë emocione.

Dhe, në krahasim me dy edicionet e fundit, Botërori i Vuvuzelave ka regjistruar një rënie të realizimit të golave: deri në këtë periudhë të Botërorit, në vitin 2002 ishin shënuar plot 98 gola, me një mesatare prej 2.72 gola për ndeshje, kurse më 2006 ishin realizuar 87 (mesatare 2.42). Në Afrikën e Jugut kemi arritur në kuotën e 77 golave (mesatare 2.14).

Pikërisht janë golat ato që kanë shumë rëndësi në këtë kompeticion. Ngase, në bazë të rregullores së FIFA-s, në rast se dy ekipe kanë pikë të njëjta, është gol-dallimi ai i cili e përcakton më të mirin. Kjo është kundërshtuar nga disa ekipe, të cilat konsiderojnë se përballja direkte duhet të vihet në rend të parë, ndërsa gol-dallimi në të dytin. Por, FIFA është ajo që e thotë fjalën e fundit.

Përse në përgjithësi shënohen pak gola? Faktet tregojnë se nuk ekzistojnë më skuadra të vogla dhe të mëdha. Skuadrat “e mëdha” po vërehet se dështojnë dhe nuk e kanë aspak të lehtë të realizojnë.

E vetmja goleadë e denjë ishte ajo që në fund e qiti Korenë e Veriut në tapetë, pasi pësoi 7 gola nga Portugalia, e cila sigurisht e frikëson Brazilin që do të përballet me Ronaldon dhe shokët e tij në ndeshjen e fundit të grupit.

Skuadra si Zelanda e Re, Algjeria e Sllovenia, e marrim shembull, ia kanë komplikuar punët skuadrave më me emër. Askush nuk dorëzohet, askush nuk turpërohet në rezultat, askush nuk tregohet jo-konkurrent.

Është e vështirë të thuhet se a është kjo meritë e rritjes së skuadrave “të vogla” ose rënie e skuadrave që kapin pozitat e larta në renditjen e FIFA-s.

Natyrisht, skuadrat më me nam nuk po mendojnë shumë për futboll kualitativ, por më shumë për rezultate: Dunga e ka bërë një Brazil kompakt, Holanda është bërë cinike dhe merret pak me estetikë, Spanja nuk e përkthen në gol të gjithë potencialin e jashtëzakonshëm defanziv që ka, derisa Franca, Italia dhe Anglia kanë shfaqur dobësi që është për t’u preokupuar.

Argjentina e Gjermania ndoshta janë skuadrat që më së shumti janë munduar ta shfaqin një futboll të pëlqyeshëm dhe në kërkim të rezultatit. Por, s’duhet harruar as Kilin, i cili megjithatë ka lëshuar 90 për qind të rasteve të krijuara.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›