E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Politika të dëgjojë problemet e njerëzve

Kreu i PS-së shprehu besimin se, politika e re duhet të bëhet përditë e më shumë politika e qytetarëve
LUSHNJË- Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zgjedhur takimin e zhvilluar dje me të rinjtë në qytetin e Lushnjës, për t'i dhënë përgjigje të gjithë atyre që e kanë parë disi me skepticizëm deklaratën e tij "Unë nuk jam politikan, por jam qytetar". Duke e pohuar sërish këtë deklaratë, kreu i PS-së tha se ka ardhur koha që politika të mendojë si mendojnë njerëzit, të shikojë si shikojnë njerëzit, të dëgjojë si dëgjojnë njerëzit, ka ardhur koha që politika të dëgjojë problemet dhe dëshirat e njerëzve, për t'i bërë të sajat. "Po, unë jam qytetar, po unë nuk jam politikan, po unë e dua politikën të populluar me sa më shumë qytetarë, në qytet edhe në fshat",- tha Rama, duke shtuar se arsyet se pse politika e vjetër na mban ende peng prej 17 vjetësh, qëndron në faktin se ajo ka mbetur në duart e politikanëve dhe i ka larguar qytetarët, duke i përdorur vetëm si trupë elektorale. Në këtë kuptim, kreu i PS-së shprehu besimin se, politika e re duhet të bëhet përditë e më shumë politika e qytetarëve, të popullohet përditë e më shumë nga qytetarë, që i japin asaj ide, fuqi, vendimmarrje, e cila mund të ndryshojë Shqipërinë. "Ne duhet t'i japim politikës së re fuqinë e qytetarëve, fuqinë e njerëzve të punës së ndershme, fuqinë e të gjitha atyre qindra-mijërave shqiptarëve, të cilët deri më sot politika i ka trajtuar vetëm si spektatorë dhe telespektatorë. Po, ka ardhur koha që politika të jetë e qytetarëve, nga Tirana e deri në skajin më të largët të Shqipërisë. Ka ardhur koha që politika të mendojë siç mendojnë njerëzit dhe që politika të shikojë siç shikojnë njerëzit, që politika të dëgjojë siç dëgjojnë njerëzit, dhe që politika të dëgjojë hallet, shqetësimet, problemet, ambiciet, dëshirat dhe ëndrrat e njerëzve e t'i bëjë të sajat",- vijoi më tej lideri i socialistëve. Në gjykimin e tij, vetëm një bashkim i madh i të gjithë shqiptarëve dhe shqiptarëve, promotor i së cilit duhet të jenë të rinjtë, mund ta nxjerrin vendin nga rrethi i mbyllur i tranzicionit dhe nga pamëshira e politikanëve të vjetër, ku politika është e populluar me qytetarët dhe qytetare që mbajnë premtimet dhe nuk premtojnë atë që nuk bëjnë dot, por që bëjnë gjithçka premtojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›