E Diel, 1 Nëntor 2026

Paketa e cigareve, nga 1 janari 20 leke më shtrenjtë

TIRANE- Qeveria ndërmori një hap javën e fundit për uljen e konsumit të cigares, duke rritur akcizën me 20 lekë/paketë, pas rritjes së fundit prej 10 lekë/paketë në vitin 2009, së bashku me miratimin e ligjit Antiduhan në vitin 2007. Kështu që nga 1 janari një paketë cigareje do kushtojë 20 lekë më shumë

Shqipëria renditet ndër vendet me një konsum të lartë të duhanit. Statistikat tregojnë se aktualisht në vend numërohen rreth 900 mijë konsumatorë, që përgjatë një viti llogariten të pijnë mbi 6 mijë tonë duhan

Por, biznesi vendas edhe pse ligji duhet të hyjë në fuqi në 1 janar të këtij viti, kanë rritur që në ditet e fundit të dhjetorit çmimin e cigareve me 10 lekë. Nga një vëzhgim në disa prej pikave të shitjes më pakicë, çmimi i një pakete Slims sot shitet 160 lekë nga 150 lekë që shitej në ditët e mëparshme.

Ekspertë të financave publike shprehen se vendimi synon uljen e konsumit të këtij artikulli nga shtetasit shqiptarë, pasi ky lloj malli konsiderohet i dëmshëm për shëndetin, jo vetëm të atyre që e konsumojnë, por edhe personave të tjerë rreth tyre. Një tjetër shkak, sipas tyre, është dhe përafrimi i nivelit të akcizës, për këtë artikull me vendet e BE-së.

Në Shqipëri në Maj, 2007 ka hyrë në fuqi ligji i duhanit, i njohur si "Ligji për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit", i cili synon të ashpërsojë luftën ndaj pirjes së duhanit. Nenet kryesore të ligjit ndalojnë pirjen e duhanit në të gjitha mjediset publike të mbyllura së bashku me ndalimin e reklamës së duhanit. Sipas OBSH, çdo 6.5 sekonda në botë vdes një duhanpirës. Studimet tregojnë se personat që fillojnë të pijnë duhan në adoleshencë, që zënë më shumë se 70 për qind e duhanpirësve, dhe vazhdojnë të pijnë duhan për 20 vjet, humbasin 20-25 vjet, krahasuar me jo duhanpirësit.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›