Prangoset mostra, ngacmoi seksualisht 12-vjeçaren
ELBASAN – Një maniak seksual ka kryer veprime të turpshme me fëmijën e fqinjit, por më pas ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, kanë arrestuar shtetasin Bektash Sula, 56 vjeç, banues në lagjen “11 Nëntori”. Ndalimi i tij erdhi pas denoncimit që kanë bërë prindërit e 12-vjeçares I. K., pasi pretendojnë se vajza e tyre është molestuar seksualisht nga fqinji i tyre. Prokuroria ka marrë në shqyrtim dosjen me të dhënat që ka sjellë policia dhe ka nisur hetimet ndaj Sulës.
Ngjarja
Bektash Sula e ka parë vajzën 12-vjeçare të fqinjit duke lozur para pallatit dhe e ka ftuar në shtëpi. E mitura e ka pranuar ftesën dhe ka hyrë brenda. Por ajo ka dalë e traumatizuar nga shtëpia e Bektash Sulës dhe më pas është ankuar në shtëpi. Kaq ka mjaftuar dhe prindërit e I. K., banorë në lagjen “11 Nëntori” në Elbasan, kanë bërë denoncimin në polici. Menjëherë ka nisur puna për zbardhjen e ngjarjes. Paraprakisht, forcat e policisë së Elbasanit bënë ndalimin 56-vjeçarit Sula në orët e vona të mesnatës së të hënës. Rreth orës 23:00 grupi i gatshëm ka shkuar në banesën e tij dhe i ka komunikuar fletën e arrestit. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Elbasanit bënë të ditur se e kanë arrestuar shtetasin Bektash Sula për vepra të turpshme me një të mitur.
Hetimet
Burimet policore sqarojnë se materialet në ngarkim të Sulës iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “vepra të turpshme”. Por, ende nuk ka të dhëna nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore. Rezultatet e ekspertizës pritet të nxjerrin prova nëse Sula ka abuzuar seksualisht me të miturën.
Gjatë vitit të fundit janë rritur ndjeshëm rastet e abuzimit seksual me të mitur. Rasti më flagrant ishte ai në shtëpinë e fëmijëve jetimë, për të cilën është vënë nën akuzë dhe është dënuar nga gjykata shtetasi britanik Dejvid Braun dhe dy shtetas të tjerë të huaj.
Policia arreston 15-vjeçaren për prostitucion
POGRADEC – E mitur, por ka përfunduar në pranga për veprat penale të “ushtrimit të prostitucionit” dhe të “vjedhjes”. Këto dy akuza rëndojnë ndaj 15-vjeçares A. A., banuese në Lagjen Nr. 1 në qytetin e Pogradecit. Burimet zyrtare të Policisë së qarkut të Korçës sqaruan ditën e martë se kjo shtetase ishte dënuar nga Gjykata e Pogradecit më 2 muaj burg dhe ishte shpallur në kërkim. Burimet policore sqaruan se dje kanë bërë ndalimin e së miturës pas dhënies së vendimit nga gjykata. Sipas tyre, materialet në ngarkim të 15-vjeçares A. A. i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Korçës. Ndonëse është e mitur, A. A. është ndëshkuar për dy veprat penale dhe është prangosur nga policia.
22 Dhjetor 2010