E Diel, 1 Nëntor 2026

Tmerr në Elbasan, tre vetëvrasje për tri ditë



ELBASAN – Tre vetëvrasje për tri ditë. Ky është bilanci tragjik në Elbasan, i cili ka shënuar rritje të frikshme të numrit të personave që i japin fund jetës. Ngjarja më e fundit ndodhi mëngjesin e ditës së martë, ku shtetasja Myzafere Karashmani ka pirë fostoksinë dhe është dërguar në gjendje kritike për jetën në spital. Por, ende pa marrë ndihmën mjekësore, ka dhënë shpirt edhe për shkak të moshës. Burimet policore bëjnë të ditur se viktima është e moshës 73 vjeçe, banuese në lagjen “Brigada 17 Sulmuese” në Elbasan. Nga të dhënat zyrtare, pasi është dërguar grupi hetimor në banesën e Karashmanit, si dhe nga deklarimet e marra, rezultoi se kjo shtetase kishte konsumuar një sasi helmi të llojit fostoksinë. Burimet policore nuk kanë bërë ende të ditura shkaqet e vetëflijimit të Myzafere Karashmanit. Kjo ngjarje ndodh vetëm pak orë pas aktit vetëflijues të Valentina Vllahit, banore në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Policia e Elbasanit bëri të ditur dje shkaqet e vetëvarjes së saj. Sipas saj, 25-vjeçarja Vllahi është konfliktuar me pjesëtarët e familjes dhe më pas është vetëvarur me litar në banesën e saj. Bashkëshorti i viktimës ka pohuar në polici se e ka gjetur Valentinën të varur në një ndërtesë në ndërtim e sipër, në një skelë metalike.
“Gjatë këqyrjes së kufomës nuk u konstatuan shenja dhune në trup dhe rezulton se shkak i vetëvarjes kanë qenë konflikti familjar”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Elbasanit.
Jo më larg se të shtunën e kaluar, edhe një 34-vjeçar i dha fund jetës në qytetin e Elbasanit, duke u hedhur nga kati i gjashtë i pallatit, pas një gjendjeje psikike të rënduar. Në këtë rreth ka rritje të akteve vetëflijuese dhe pjesa më e madhe e tyre ndodhin për shkak të gjendjes së rënduar ekonomike.

U pushuan nga puna, i vënë tritol farmacisë

TIRANË – Dy persona, sapo janë pushuar nga puna, i kanë vënë lëndë eksplozive farmacisë ku ishin të punësuar në shenjë hakmarrjeje. Ngjarja ka ndodhur në një pikë të tregtimit të ilaçeve në periferi të kryeqytetit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e së martës dhe menjëherë kanë nisur hetimet. Nga të dhënat e para nuk raportohet për viktima apo të lënduar gjatë momentit të shpërthimit, por vetëm për dëme materiale. Burimet policore raportojnë se kanë identifikuar dy tritolvënësit dhe janë shpallur në kërkim. Sipas të dhënave të para në grupin hetimor, autorët janë dy punonjës të farmacisë, të cilët pak ditë më parë ishin pushuar nga pronari.

22 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›