Pas kritikave, shkarkohet kreu i Policisë së Tiranës
TIRANË – Kritikat që i janë bërë pak ditë më parë në kreut të bluve të Tiranës kanë çuar në largimin e tij nga detyra. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur dje shkarkimin nga posti të Tonin Vocajt, i cili prej gati 2 vjetësh drejton strukturat e rendit të kryeqytetit. Në vendin e tij është emëruar Saimir Muça, i cili deri dje ka qenë në krye të Policisë së Qarkut të Elbasanit. Muça vjen në këtë detyrë me një sërë eksperiencash drejtuese edhe në policinë e Fierit dhe rrethe të tjera.
Në vendin e lënë bosh nga Muça, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Elbasanit emërohet Jashar Vreka, deri tani drejtor i Luftës kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Vocaj është një ndër ekspertët që kanë strukturat tona në fushën e krimeve të rënda. Ai ka drejtuar për shumë kohë postin e Drejtorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit. Në analizën vjetore të Policisë së Tiranës, kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj lëshoi kritika për gjendjen e kriminalitetit, rritjen e veprave penale dhe uljen e zbulueshmërisë së krimeve. Tirana është një qytet i madh me shtim të ndjeshëm të veprave penale, të cilat ndikojnë edhe nga kushtet ekonomiko-sociale. Pjesa më e madhe e fluksit kriminal ordiner vjen nga periferitë dhe kreu i Policisë së Shtetit ka përsëritur apelin për vartësit e tij që të mbajnë nën kontroll elementët kriminalë që vijnë nga rrethinat e Tiranës.
22 Dhjetor 2010