E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa e re fiskale: Ulet akciza e birrës

Paketa e re fiskale që pritej të kalonte në Kuvend sëbashku me draftin e buxhetit të rishikuar parashikon ndryshime vetëm në taksën e makinës dhe akcizën e birrës. Sipas draftit, akciza e birrës ulet ndjeshëm, sidomos për prodhuesit vendas dhe nga 30 lekë për litër nga 1 shtatori do të jetë 10 ose 12 lekë për litër. Po ashtu, akciza ulet edhe për birrën e importit, nga 40 lekë për litër, në 30 lekë për litër. Ndryshimi i taksës së birrës, vjen pas ngritjes së zërit të komunitetit të biznesit që prodhon këtë produkt në vend. Ata e argumentuan kërkesën për ndryshim të taksës së produktit që prodhonin, me dëmtimin e prodhimit vendas. Pasi ligji aktual, që është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, parashikon që të pajisen me pulla fiskale, pijet alkoolike, vera, rakia, produktet e duhanit, birra e importuar dhe e prodhuar në vend, ndërsa për birrën për të cilën aktualisht nuk është përdorur pullë akcize, megjithëse është mall subjekt i akcizës, në bazë të kontratës së koncensionit, do të përdoret një shenjues direkt që quhet ‘Kodi i sigurisë’. Në këtë mënyrë, po ndërrohet sistemi, nga i centralizuar në duart e shtetit në një koncensionar. Ndërkohë që me ligjin e mëparshëm të akcizave, 1 herë në katër vjet bëhej rakordimi për pullat fiskale, pasi ishte i pamundur kontrolli i tyre. Ndryshimi thelbësor që i është bërë ligjit konsiston në mënyrën e depozitimit, nga koncensionari tek importuesi jashtë kufijve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›