E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, fluks kërkesash për lëndët shoqërore

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-07-2011 11:28

Gara për të fituar një të drejtë studimi në degët e profilit shoqëror duket se do të jetë beteja më e ashpër për maturantët, megjithëse është cilësuar si më e lehta, krahasuar me degët e shkencave të natyrës. Bëhet fjalë për degët e shkollave të larta që i përkasin profilit shoqëror, ku bëjnë pjesë programet e studimit që i përkasin Fakultetit Juridik, Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit të Histori-Filologjisë. Pikërisht për t’u ulur në auditorët e këtyre fakulteteve, maturantët kanë dhënë si provime me zgjedhje ato lëndë që të çojnë drejt tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, bazuar në Formularin A1, ku përcaktohen edhe lëndët me zgjedhje, pjesa më e madhe e maturantëve kanë zgjedhur lëndën Njohuri për Shoqërinë. Kjo e fundit është lënda e parë që ofron më shumë shanse për t’u shpallur fitues në Juridik, sikurse edhe te Shkencat Sociale, pasuar me Histori-Filologjinë dhe Gjuhët e Huaja. Burime zyrtare nga MASH bëjnë të ditur se këtë vit lëndën Njohuri për Shoqërinë e kanë kërkuar 33 150 maturantë. Po ashtu, një tjetër lëndë e drejtimit shoqëror, Ekonomi-Filozofi është preferuar shumë nga maturantët. Kështu, 14 610 maturantë i janë nënshtruar më 30 qershor testimit në Ekonomi-Filozofi, si një nga provimet me zgjedhje. E treta për nga numri i lartë i kërkesave është edhe lënda e Gjeografisë, që e kanë zgjedhur 11 802 nxënës. Ndërkaq, edhe kërkesat për gjuhën angleze kanë pësuar rritje krahasuar me vitin e kaluar. Këtë vit, Anglishten e kanë preferuar si lëndë si me zgjedhje 11 136 maturantë. Në fakt, Anglishtja nga viti në vit ka rezultuar si një ndër lëndët me zgjedhje më të preferuara nga maturantët edhe për arsyen se ka koeficientin më të lartë, dhe për rrjedhojë shton më shumë pikë. Pas Anglishtes, e kërkuar këtë vit ka qenë edhe lënda e Historisë, që e kanë përzgjedhur 7 866 maturantë. Pra, në total janë 5 lëndët me zgjedhje më të kërkuar për degët e drejtimit shoqëror, ndërkohë që këtë vit është vënë re edhe një rritjet e numrit të maturantëve që kanë dhënë si lëndë me zgjedhje ato të drejtimit natyror, që janë Fizikë, Kimi, Biologji. Në fakt, bëhet fjalë për tri lëndët më të vështira të këtij drejtimi, por që të çojnë drejt degëve të Mjekësisë, Shkencave të Natyrës dhe Inxhinierive. Përkatësisht, Fizikën e kanë zgjedhur 2 858 maturantë, Kiminë 3 659, dhe Biologjinë 6 869. Bazuar në këto kërkesa, maturantët duhet t’i bëjnë mirë llogaritë para se të rendisin preferencat e studimit në Formularin A2, pasi në programe studimi të kërkuara, fluksi i madh i kërkesave nuk përbën ndonjë diferencë të madhe midis preferencës së parë dhe të dhjetë. Por, e kundërta ndodh për programet e “dorës së dytë”, që janë degë më pak të preferuara nga të rinjtë. Në këto programe, në preferencat e para ka një numër të vogël kërkesash dhe ato vijnë duke u rritur në preferencat e fundit. Shpjegimi në këtë rast, sipas specialistëve, është se shpeshherë këto preferenca plotësohen si një mundësi për të mos ngelur pa të drejtë studimi, për ata maturantë që me rezultatet e tyre nuk përmbushin dot kriterin e meritës për programet e kërkuara. Lidhur me rezultatet e provimeve me zgjedhje, burime nga MASH bëjnë të ditur se procesi ka ecur normalisht dhe notat pritet të publikohen para datës 15 korrik. Provimeve me zgjedhje të Maturës iu nënshtruan 48 000 maturantë nga i gjithë vendi, ndërkohë që numri i testeve për të dyja lëndët është 97 000. Ndërsa, përsa i përket Formularit A2, ku maturantët do të përzgjedhin 10 preferencat e tyre për studimet e larta, ai tashmë është gati dhe pritet të marrë vetëm firmën e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, për t’u publikuar dhe shpërndarë më pas në të gjitha shkollat e vendit.

Lëndët më të kërkuara

Njohuri për Shoqërinë 33 150

Ekonomi-Filozofi 14 610

Gjeografi 11 802

Anglisht 11 136

Histori 7 866

Fizikë 2 858

Kimi 3 659

Biologji 6 869

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›