E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Paketa e re ul barrën e biznesit”

14/07/2011  Flet Luan Bregasi, President i “BiznesAlbania”: Ja pse e mbështesim paketën fiskale

Bregasi: Vlerësojmë nismën për rimbursimin automatik

Sipërmarrësit mbështesin paketën fiskale të miratuar dje në Këshillin e Ministrave. Sipas zotit Luan Bregasi, President i “BiznesAlbania”, paketa e propozuar nga qeveria ka në themel filozofinë e uljes së barrës fiskale për sipërmarrësit shqiptarë. Gjithashtu projektligji “për akcizat”, i cili bën një përshkallëzim të nivelit të pagesës në bazë të prodhimit, duke favorizuar prodhuesit vendas të birrës, sipas zotit Bregasi është një nga nismat më të rëndësishme për të ulur evazionin fiskal dhe shtuar bazën e tatimpaguesve, jo më mbi një përqendrim të së njëjtës barrë fiskale pa diferencime mbi biznesin.

Qeveria miratoi sot paketën fiskale, e cila në thelb ka synimin për të ulur barrën fiskale për biznesin, ashtu siç theksoi edhe zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj pak ditë më parë gjatë Këshillit Konsultativ të Biznesit. Cili është qëndrimi i “BiznesAlbania” dhe komunitetit të sipërmarrësve për këtë paketë?

Sipërmarrja private në Shqipëri dhe “BiznesAlbania” e kanë pranuar këtë paketë fiskale, sepse në themel të saj, ashtu siç është theksuar edhe në Këshillin Konsultativ të Biznesit, qëndron filozofia e uljes së taksave dhe shpërndarja e ngarkesës fiskale mbi bazën e zhvillimit dhe kapaciteteve prodhuese të bizneseve, duke shmangur kështu përqendrimin e të njëjtës barrë fiskale mbi të gjithë tatimpaguesit, pa diferencime. Qëllimi i kësaj pakete që përputhet me synimet e komunitetit të sipërmarrësve shqiptarë edhe që të nxiten kompanitë më të vogla. Pra, të ketë diferencim të taksave, ashtu siç është parashikuar në projektligjin “Për akcizat”, ku kompanitë prodhuese të birrës në vend që janë prodhuesit e vegjël aktualisht, favorizohen nga zbatimi i këtij projektligji. Së dyti, ne e mbështetëm këtë paketë fiskale edhe për shkak se parashikohet një unifikim i taksimit të lëndëve djegëse me karburantet e tjera. Pra, ne jemi dakord me akcizën e karburanteve në mënyrën e propozuar, për të shmangur ndotjen e ambientit dhe për të ulur spekulimet në treg për cilësinë që bëheshin nën emrin e solarit, duke e shitur shpesh naftën me çmimin e solarit. Ne e pranuam këtë ndryshim edhe për një fakt tjetër domethënës, pasi kjo akcizë do të rimbursohet automatikisht nga administrata.

Pikërisht neni 1 i projektligjit “Për akcizat”, parashikon rimbursimin automatik të biznesit. Në të kundërt, biznesit i jepet e drejta të mospaguajë detyrimet e tjera tatimore. Besoni se do të mund të realizohet kjo pikë e projektligjit nga administrata, pra a do të jetë korrekte?

Përgjithësisht ne kemi qenë skeptikë ndaj politikave të rimbursimit që ka zbatuar qeveria, për shkak të problemeve që janë hasur shpesh nga sipërmarrësit në këtë proces, meqenëse në vetvete rimbursim do të thotë një rritje të borxhit të qeverisë ndaj biznesit. Por mënyra e re e propozuar me rimbursim automatik besoj se është një gjë shumë e mirë që do të ndikojë drejtpërdrejt edhe në uljen e evazionit fiskal. Do të doja të theksoja, edhe njëherë pra se komuniteti i biznesit do të mbështesë çdo lloj propozimi që vjen nga qeveria dhe çdo lloj nisme që ka dukshëm tendencë formalizimin e ekonomisë, apo që ka në thelb të tij filozofinë për të zgjeruar bazën e tatimpaguesve për pagimin e taksave, duke ulur barrën fiskale për sipërmarrjen.

Pjesë e paketës është edhe projektligji për akcizat. Qeveria ia ka deleguar mbledhjen e akcizës një kompanie koncensionare. Keni një koment në lidhje me këtë çështje?

Vendimi i Këshillit të Ministrave për të deleguar shërbimin e mbledhjes së akcizës një kompania koncensionare është një vendim që duhet përgëzuar. Mendoj se ka ardhur koha që edhe në vendin tonë të aplikohen rrugë të tilla, siç është mbledhja e taksave nga një kompani koncensionare. Ne fillimisht kemi pasur rezerva për këtë projekt, sa i përket vendosjes së shërbimit të pullave fiskale nga një kompani e huaj, për shkak se rritej çmimi për birrën. Gjithsesi meqenëse qeveria e bëri kompensimin që lindte si kosto shtesë për birrën për shkak të pullave fiskale me përshkallëzimin e nivelit të akcizës së birrës sipas prodhimit vjetor, ne pranuam propozimin dhe miratimin e kësaj pakete fiskale. Industria e birrës do të shkojë në këtë mënyrë drejt një fiskalizimi dhe funksionimi më të mirë nga pikëpamja e deklarimit të prodhimit.

Ju keni propozuar konceptimin e paketave fiskale në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë. Cili është qëllimi i këtij propozimi?

Paketat e kësaj natyre aktualisht i propozon qeveria. Ne nuk e kundërshtojmë këtë politikë, le të funksionojë edhe kështu. Por do të ishte një mënyrë më efikase në mënyrë që grupet e interesit, siç janë sipërmarrësit të bashkëpunojnë me Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës duke marrë iniciativa të tilla që të çojnë në përmirësimin e klimës së biznesit. Pra, politikat nxitëse për një bashkëpunim më të mirë mes komunitetit të biznesit dhe qeverisë, duhet të ndërmerren nga Ministria e Ekonomisë dhe jo nga Ministria e Financave.

Tabelë

Përshkallëzimi i nivelit të akcizës së birrës sipas prodhimit vjetor:

Deri ne 70,000 hl: 10 lekë/litër

Nga 70,001 deri në 200,000: 12 lekë/litër

Nga 200,001 deri në 300,000: 15 lekë/litër

Mbi 300,000 hl: 30 lekë/litër

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›