E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspertët: Kriza greke po ul investimet e huaja në Shqipëri

22/07/2011  Bien remitancat dhe shtohen kthimet e emigrantëve të papunë

Kriza financiare në Greqi ka sjellë ndikimin e saj negativ në zhvillimin social-ekonomik të vendit tonë. Të ardhurat që emigrantët shqiptarë sjellin për të afërmit kanë rënë nga viti në vit, shoqëruar me një kthim të atyre që kanë mbetur pa punë në atdhe. Po kështu edhe investimet greke në Shqipëri janë tkurrur. Janë këto vetëm disa nga faktet që studiuesi i ekonomisë, Jens Bastian përmendi si ndikimet e krizës greke gjatë një leksioni publik të organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare. “Shqipëria është i vetmi vend në rajon që shënoi rritje me 3,5% në 3-mujorin e parë të këtij viti. Megjithatë, po shfaqen shenjat e para të ndikimit negativ në ekonominë e vendit për shkak të krizës greke. Janë ulur ndjeshëm të ardhurat nga remitancat dhe kjo rënie do të vazhdojë nëse kriza greke s’merr një zgjidhje të shpejtë. Bankat greke në Shqipëri po japin më pak subvencione për zhvillimin ekonomik dhe investimet greke janë bërë thuajse inekzistente. Shqipëria dhe rajoni konsiderohen të dobëta në tregjet e kapitalit dhe kjo ka sjellë një ulje të investimeve të huaja, si dhe zhvlerësim të monedhës vendase”, - tha Bastian. Në Greqi jetojnë dhe punojnë rreth 800 mijë emigrantë shqiptarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›