E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa ekonomike per Portugaline e Greqine mblidhen ministrat e Financave te BE

 Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian fillojnë në Bruksel një takim dyditor ku përfundimisht pritet të miratohet paketa e ndihmave prej 78 miliardësh për Portugalinë e të diskutohet paketa e ndihmës për një tjetër vend në krizë, Greqinë. 
Pagesa e këstit të pare për portugalinë pritet të bëhet në qershor. Komisioneri për politikën monetare Olli Rehn, i ka bërë thirrje Gjermanisë për ndihma në kohën kur shtohet dyshimi ndaj paketave për shpëtimin e vendeve të zhytura në borxhe. 

Përsa i përket krizës së thellë në Greqi nuk priten konkluzione të veçanta paralajmëron Brukseli, ndërsa në takim mungon dhe kreu i FMN-së Dominique Strauss-Kahn, i cili është arrestuar në Nju Jork nën akuzën për dhunim seksual. FMN-ja ka marrë për sipër që Portugalisë dhe Greqisë t'i ndajë një të tretën e ndihmave financiare. Pjesën tjetër duhet ta japin vendet evropiane. 

Nga 110 miliardë të premtuara deri tani Greqisë i është  paguar gati gjysma. Por shifrat e fundit të FMN-së tregojnë se gjendja financiare e Greqisë është më keq nga sa ishte menduar një vit më parë. Ndaj ekspertët parashikojnë nevojën për një kredi shtesë prej rreth 40 derin në 60 miliardë euro deri në vitin 2013. 

Greqisë në mars iu garantuan interesa të ulëta dhe një afat më i gjatë për kreditë e lëvruara tashmë. Ky ristrukturim i "butë" i borxhit prek vetëm kredidhënësit shtetërorë, por jo bankat private, të cilat kanë blerë bonot greke të thesarit. Nën ombrellën e shpëtimit të eurozonës janë strehuar Irlanda dhe Portugalia. Komisioni i BE-së deri tani i ka dhënë borxh Irlandës rreth 22,5 miliardë euro. 

Azhornuar së fundi ( e hënë , 16 maj 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›