E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketë e re ligjore për zhbllokimin e tregut të pensioneve private



Tregu privat i sigurimeve do të ketë shumë shpejt një ligj të ri. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në konsulencë me Bankën Botërore dhe ekspertë të legjislacionit, ka paraqitur draftin e parë, i cili i hap rrugën zhbllokimit të këtij tregu. Burimet zyrtare nga AMF kanë bërë të ditur pak ditë më parë pikat kryesore të këtij drafti, i cili është hartuar në bazë të eksperiencave rajonale dhe europiane të tregut të sigurimeve. Nga të dhënat zyrtare, deri tani ushtrojnë aktivitetin në këtë treg tri kompani, me një total klientësh prej 3 mijë personash. Megjithëse tregu është ende i pashfrytëzuar, zhvillimi i tij ka hasur më shumë probleme të karakterit legjislativ.
Pikat e projektligjit
Për herë të parë projektligji vë kufizime për operatorët që veprojnë në këtë treg. Sipas draftit, “fondet e pensionit mund të krijohen vetëm nga shoqëri administruese të specializuara dhe të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Shoqëria administruese themelohet si shoqëri aksionere, me kohëzgjatje të pakufizuar, ku 51% të aksioneve ose të së drejtës së votës zotërohen nga banka ose institucione financiare. Aktiviteti i vetëm që mund të kryejë një shoqëri administruese është administrimi i fondit të pensionit. Sipas ligji ekzistues, fondet e pensioneve mund të krijohen nga çdo person juridik, ose nga çdo punëdhënës që ka të paktën 500 të punësuar. Edhe projektligji i ri ua njeh këtë mundësi punëdhënësve, por vetëm duke lidhur një marrëveshje me një shoqëri administruese. Po ashtu, në këtë draft caktohet edhe kapitali minimal i shoqërisë administruese. Kufiri është që ai duhet të jetë të paktën 15.625 milionë lekë. Kapitali i shoqërisë administruese llogaritet duke zbritur detyrimet nga asetet në bilancin e shoqërisë administruese. Vlerësimi i mjeteve që përfshihen në përllogaritjen e kapitalit do të bëhen në përputhje me standardet ndërkombëtare të raportimit financiar (SNRF), me përjashtim të rasteve kur përcaktohet ndryshe në rregulloret e nxjerra nga AMF. Ligji ekzistues nuk përcakton kritere minimale për kapitalin, por vetëm bllokimin e një garancie bankare prej 10 milionë lekësh për institutet private të pensioneve.
Projektligji përcakton në mënyrë të detajuar edhe kriteret që duhet të përmbushin menaxherët e lartë të shoqërive administruese për të marrë licencë nga AMF-ja. Shoqëria administruese duhet të paraqesë çdo vit një bilanc të certifikuar nga një shoqëri auditimi e jashtme. Marrëdhënia midis kontribuuesve dhe shoqërisë administruese të fondit të pensionit është një marrëdhënie kontraktuale, ku parashikohen të drejtat dhe detyrimet e secilës palë. Përveç kontratës, shoqëria administruese e fondit duhet t’u vendosë në dispozicion aderuesve edhe prospektin me informacionin e nevojshëm për aktivitetin e fondit. Prospekti duhet të rifreskohet çdo vit brenda datës 31 mars. Projektligji përcakton në mënyrë të hollësishme elementet që duhet të përmbajnë kontrata dhe prospekti, si dhe parakushtin që kontrata e fondit të pensionit dhe prospekti me informacionin e nevojshëm miratohen nga Autoriteti.
Të gjitha tarifat që i paguhen shoqërisë administruese duhet të përfshihen në kontratën e fondit të pensionit, në prospekt, dhe t’i bëhen të njohura çdokujt që mendon të bëhet anëtar në fondin e pensionit.
Shoqëria administruese mund të zbatojë tarifa duke zbritur çdo vit një përqindje të caktuar të vlerës neto të aseteve të administruara. Përqindja e caktuar nuk mund të kalojë në asnjë rast 3% në vit të vlerës neto të aseteve të fondit të pensionit. Nëse aktivet transferohen nga anëtari i një fondi pensioni në një fond pensioni të ri, ose tërhiqen nga fondi i pensionit, shoqëria administruese mund të mbajë si tarifë deri në 0.5% të shumës së transferuar.
Drafti heq rregullat e ngurta
Projektligji i ri karakterizohet nga një frymë më pak e ngurtë dhe kufizuese krahasuar me ligjin ekzistues. Në ligjin në fuqi parashikohet që kontributi minimal nga çdo anëtar i një fondi pensionesh të jetë 500 lekë në muaj, ndërsa projektligji nuk parashikon më normë minimale kontributi. Ligji ekzistues nuk i lejon kontribuesit t’i tërheqin kontributet pa kaluar tre vjet nga anëtarësimi në fond, ndërsa sipas projektligjit të ri, anëtari ka të drejtë që në çdo kohë të transferojë asetet e tij nga një fond pensioni në një tjetër, brenda 10 ditësh nga data që ka njoftuar shoqërinë administruese të fondit ku aderon.
Anëtari i fondit të pensionit ka të drejtën të marrë pagesën e vlerës neto të aseteve në llogarinë e tij, ose pagesat periodike në formë pensioni, 5 vjet përpara se të mbushë moshën e pensionit të parashikuar me ligj për sistemin e pensionit të detyrueshëm; ose kur anëtari bëhet i paaftë për punë në mënyrë të përhershme dhe vërtetohet si i tillë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Shoqëria administruese, në periudha të rregullta kohore dhe të paktën çdo 30 ditë, duhet të informojë çdo anëtar mbi asetet, përfshirë vlerësimin e vlerës neto të aseteve në llogarinë e pensionit të anëtarit, datat e kontributeve dhe transfertat e pagesave të bëra në emër të anëtarit gjatë periudhës përkatëse dhe shndërrimin e këtyre kontributeve dhe aseteve në kuota pensioni. Projektligji përcakton se Fondi i pensionit nuk mund të jetë pjesë e procedurës së falimentimit dhe asetet e fondit të pensionit nuk mund të jenë objekt i pretendimeve ose ekzekutimeve të kryera në emër dhe për llogari të kreditorëve të shoqërisë administruese të fondit të pensionit. Periudha përpara se punëmarrësi t’i njihet e drejta e përfitimit të kontributeve të paguara për të nga punëdhënësi nuk mund të jetë më e gjatë se pesë vjet. Autoriteti mund të nxjerrë rregullore me detaje të mëtejshme mbi periudhën që një punëmarrës duhet të presë përpara se të përfitojë të drejtën e kontributeve të paguara për të nga punëdhënësi. Në rastet kur punëdhënësi ndërpret marrëdhënien e punës me punëmarrësin në mënyrë të njëanshme dhe përpara periudhës së mësipërme, kontributet e bëra nga punëdhënësi do t’i transferohen punëmarrësit.
Ndryshe nga ligji ekzistues, projektligji i ri nuk i përcakton drejtpërsëdrejti rregullat për investimin e aktiveve të fondeve të pensionit: kjo do të përcaktohet me rregullore të veçantë, të cilën AMF duhet ta miratojë dy muaj brenda hyrjes në fuqi të ligjit.
Shoqëria administruese ndalohet të marrë hua me qëllim kryerjen e investimeve për interes të fondit të pensionit ose për çdo qëllim tjetër duke vënë si garanci asetet e fondit të pensionit.
Kontributet njihen si shpenzime
Projektligji, ndryshe nga ligji ekzistues, qartëson edhe trajtimin fiskal të kontributeve të sigurimeve shoqërore në fondet e pensioneve, si dhe të të ardhurave prej tyre. Projektligji përcakton shprehimisht se kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij për efekt tatimi. Kthimi i investimit, duke përfshirë fitimet nga kapitali, prej investimeve të kryera me asetet e fondit të pensionit nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin e pensionit dhe as për shoqërinë administruese. Kontributet e bëra nga punëdhënësi dhe çdo kontribues tjetër në emër dhe për llogari të anëtarit të një fondi pensioni, për efekte fiskale, nuk konsiderohen si të ardhura personale të anëtarit. Por njohja e shpenzimeve do të ketë një kufi maksimal.
Kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore, është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit. Në rast se anëtari është mbi 50 vjeç, kufiri maksimal për lehtësirat tatimore për kontributet vjetore është vlera më e vogël që del nga krahasimi i shumës 250 mijë lekë dhe 25% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Kontributet e paguara nga ose në emër dhe për llogari të anëtarit nuk përfshihen në totalin e të ardhurave për qëllime të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Kontributet e bëra nga punëdhënësi në interes të punëmarrësve të tij në një plan pensioni profesional konsiderohet si shpenzim operativ deri në shumën vjetore për çdo punëmarrës të barabartë me 250 mijë lekë dhe kjo shumë konsiderohet si shpenzim i zbritshëm për qëllime të tatimit mbi fitimin të punëdhënësit. Blerja e kuotave të një fondi pensioni është shërbim financiar dhe si rrjedhojë është e përjashtuar nga TVSH-ja.

TË REJAT E PROJEKTLIGJIT

• Aplikimi i zhvillimeve bashkëkohore në fushën e pensioneve private
• Vendosja e skemës me kontribute të përcaktuara
• Fondi i pensionit si grup asetesh pa personalitet juridik
• Shoqëria administruese si subjekt me aftësi profesionale dhe integritet
• Vendosja e kritereve bashkëkohore “fit & proper”
• Njohja dhe evidentimi i rolit të depozitarit (si ruajtës i aseteve)
• Roli rregullues dhe mbikëqyrës i Autoritetit - Aplikimi i mbikëqyrjes me bazë risku për fondeve e pensioneve
• Parashikimi i lehtësirave tatimore (punëmarrësi dhe punëdhënësi)
• Politike e kontrolluar dhe e kujdesshme investimesh

Projektligji sipas direktivave të BE-së dhe OECD-së

Paketa e re ligjore është ndërtuar sipas disa modeleve të standardizuara të tregut perëndimor. Ai synon të përafrohet dhe në disa pjesë të tij të jetë në përputhje me direktivat dhe rregulloret përkatëse të Bashkimit Europian, si dhe me udhëzimet e OECD-së (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) – IOPS (Organizata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Fondeve të Pensioneve) për licencimin e instituteve të pensioneve suplementare vullnetare. Po sipas AMF-së, gjatë hartimit të aktit janë marrë parasysh aktet ligjore në fushën e pensioneve vullnetare të disa vendeve si Maqedonia, Rumania, duke u fokusuar në mënyrën e përshtatjes së direktivave përkatëse nga një shtet anëtar i BE-së, siç është Rumania, si dhe nga një shtet kandidat për anëtarësim, si Maqedonia. Projektligji është produkt i bashkëpunimit të AMF-së me ekspertin e Bankës Botërore, z.Erik T. Huitfeldt dhe asistencës së studios ligjore “Kalo & Associates”.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›