E Diel, 1 Nëntor 2026

Pensionistët i kërkojnë qeverisë shtim të barnave të rimbursueshme

Isa Gorica: “25 mijë pensionistë, jashtë skemës së rimbursimit të barnave” . Studimi i Sindikatës, pensionistët paguajnë 20 milionë euro në vit për blerjen e ilaçeve

Jonida Tashi

Pensionistët kërkojnë për të disatën herë shtim të listës së barnave të rimbursueshme, pasi nuk kanë mundësi ti blejnë të gjitha ilaçet. Rreth 25 mijë pensionistë në vend blejnë barna jashtë listës së rimbursimit. Kjo shifër bëhet e ditur nga kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Isa Gorica. Medikamentet e blera nga mosha e tretë jashtë listës së rimbursimit janë ilaçe të shtrenjta dhe që kryesisht përdoren për të trajtuar sëmundjet kronike nga e cila vuan më tepër kjo moshë. “Janë më shumë se 25 mijë pensionistë që blejnë barna jashtë rimbursimit. Janë kryesisht barna, që shërbejnë për trajtimin e sëmundjeve të tensionit, të problemeve shëndetësore kardiovaskulare, të diabetit, prostatës dhe të sëmundjeve të sistemit mendor”, - shprehet Isa Gorica. Sipas tij, këta 25 mijë pensionistë, veç problemeve të tjera, janë të detyruar që të blejnë ilaçe dhe medikamente të parimbursuara nga shteti. Po ashtu, sipas llogaritjeve që ka bërë sindikata, rezulton se janë rreth 20 milionë euro në vit, që paguhen nga pensionistët në të gjithë vendin, vetëm për blerjen e ilaçeve.
Kërkesa
Shtimi i listës së barnave të rimbursueshme nuk është vetëm një kërkesë e ngritur nga mosha e tretë, por edhe nga mjaft qytetarë që drejtohen çdo ditë në farmaci. Farmacistët sqarojnë se shumica e qytetarëve që drejtohen për të blerë barna me rimbursim kërkojnë që pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore të bëhen dhe disa barna që kanë një kosto të lartë për blerjen e tyre. Disa nga barnat që janë për trajtimin e sëmundjeve të rënda si tumoret, sëmundjet e veshkave, sëmundjet e zemrës etj, kanë një kosto të lartë për blerjen e tyre. Mjaft pacientë, kryesisht pensionistë, shprehen se shpeshherë janë drejtuar pranë ISKSH-së për të kërkuar zgjerimin e listës së barnave të rimbursueshme për disa sëmundje. Shqetësimi i qytetarëve lidhet me faktin se nuk kanë mundësi blerjeje për përballimin e gjendjes së tyre shëndetësore për shkak të mungesës së më shumë barnave alternative dhe cilësore në farmaci. Mjaft të sëmurë rëndë nga veshkat apo të prekurit nga tumoret etj, kërkojnë që në farmaci të gjejnë të gjitha alternativat e barnave të shtrenjta dhe cilësore për të kuruar sëmundjen e tyre. Farmacistët sqarojnë se ka mjaft të sëmurë të cilët shprehen se i blejnë barnat jashtë vendit për shkak të pamundësisë për t’i blerë në vend dhe krahasimit në cilësi që bëjnë me barnat e blera në farmacitë e që janë këtu. Por, jo të gjithë e kanë mundësinë e blerjes së vazhdueshme të barnave jashtë vendit. Për këtë arsye kërkohet që të futen më shumë alternativa barnash dhe sidomos e atyre që kushtojnë më shumë dhe që përdoren për sëmundjet e rënda, që kanë trajtim të vazhdueshëm.
Përfituesit
Përfituesit më të mëdhenj të barnave me rimbursim janë të sëmurët kronikë, të cilët janë të detyruar të blejnë vazhdimisht barna. Njëkohësisht në këtë kategori përfshihen të sëmurët me zemër, veshka, tumoret etj. Ndërsa pjesa tjetër e përfituesve janë fëmijët që vuajnë nga sëmundje të rënda. Për këtë arsye, barnat janë vendosur sipas prioriteteve, duke nisur nga fëmijët hemofilikë, të sëmurët me kancer etj. Nevojat për shtimin e listës së barnave të rimbursueshme për këtë vit, kanë qenë të domosdoshme, por buxheti i akorduar për shtimin e barnave ka qenë i pamjaftueshëm. Sëmundjet kardiovaskulare rimbursohen me masën rreth 70 për qind nga ISKSH-ja. Këto sëmundje zënë vendin e parë në sëmundshmërinë e përgjithshme të popullsisë në vendin tonë. Duke parë domosdoshmërinë e kurimit dhe barnat e shumta dhe të domosdoshme që nevojiten, rimbursimi i tyre është bërë në masën 70 për qind.

Reforma spitalore, 40 për qind e të ardhurave dytësore për medikamentet

Rreth 40 për qind e të ardhurave dytësore të spitaleve do të shkojnë për blerjen e medikamenteve. Të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet, krahas buxhetit vjetor të përcaktuar për ta. Të ardhurat nga aktiviteti i spitalit përbëhen nga të ardhurat nga tarifat që paguajnë personat e pasiguruar, të ardhurat nga kryerja e analizave të ndryshme, dhënia e vërtetimeve, kryerja e ekzaminimeve terciare, të ardhura nga aktiviteti ekonomik dytësor, etj. Në këtë mënyrë do të mundësohet pajisja e vazhdueshme e spitaleve me barna dhe shmangia e mungesave të vazhdueshme gjatë viteve të kaluara. Kështu, për realizimin e shpenzimeve nga të ardhurat do të përdoren rregullat e prokurimit publik si për investimet, ashtu edhe blerjen e mallrave e shërbimeve.

Universiteti i Tiranës, rihapen zgjedhjet për drejtuesit e fakulteteve

Rikthehen zgjedhjet në universitete për postet drejtuese të institucioneve të Arsimit të Lartë. Në datën 4 maj do të zhvillohen zgjedhjet në Universitetin e Tiranës (UT), për dhjetë vende drejtuese në fakultete të ndryshme të UT-së, për shefa departamentesh si dhe drejtuesit e këshillave të fakulteteve. Megjithëse zgjedhjet për drejtuesit e rinj kanë përfunduar në janar të vitit 2008, pas një viti Ministria e Arsimit ka shpallur sërish zgjedhje të pjesshme. Sipas kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor të Institucioneve të Arsimit të Lartë, Dorina Panariti, zgjedhjet parashikohen të mbahen dhe universitetet e rretheve, por në data të ndryshme.

ASHR, Qyteti Studenti me kushte të mira higjieno-sanitare

Gjatë kontrollit të ushtruar nga ASHR-ja për kushtet higjieno-sanitare në godinat e banimit në Qytetin Studenti, rezulton se gjithçka është brenda normave. Inspektorët sanitarë të Tiranës, kanë ushtruar kontrolle edhe nëpër mensat dhe kuzhinat, ku rezulton se gjendja është përmirësuar në krahasim me vitin e kaluar. Bazuar në kontrollet e inspektorëve të Sektorit të Higjienës studentore në Autoritetin Shëndetësor rajonal të Tiranës, rezulton se gjendja higjieno-sanitare në godinat e arsimit të lartë, universitetet publike e jo-publike, në përgjithësi është e mirë. Ndërsa, problem ka qenë godina e Fakultetit Juridik, e cila në katin e parë paraqitej me çarje muresh, duke përbërë rrezik shembjeje. Inspektorët kanë kryer vazhdimisht kontrolle në 3 qendrat e banimit të studentëve në Tiranë. Në qendrën studentore nr. 2, problem mbetet godina e banimit të studentëve të Akademisë së Fizkulturës “Vojo Kushi”. Gjatë vitit 2008, ky sektor ka ushtruar kontrolle në 930 objekte, ku janë mbajtur 676 proces-verbalë, janë marrë 7 vendim mbylljeje, ndërsa janë kryer një numër i konsiderueshëm analizash për pastërtinë.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›