Tentoi të kalonte me makinë të vjedhur, ndalohet italiani
Shkodër – Një italian kërkoi të hynte në Shqipëri me një makinë të vjedhur, por u kap menjëherë nga policia. Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër ku forcat policore kanë kapur në flagrancë 50-vjeçarin Vito Roteli, banues në Komo të Italisë, pasi ka hyrë në territorin e vendit tonë me një makinë të vjedhur. Automjeti rezultonte i markës “BMW” me targa CY 816 KT, prodhim i vitit 2006, të cilën ky shtetas e kishte me dokumente italiane, në pronësi të tij, por sipas verifikimeve të policisë, ai rezultonte se ishte i vjedhur në Itali para dy javësh. Menjëherë Prokuroria e Shkodrës ndërmori veprimet për veprën penale të “Trafikimit të mjeteve motorike të vjedhura”.
Kamzë, nëna vret veten kur gjen fëmijën pa jetë
Tiranë - Sapo e ka parë fëmijën e saj të tretur nga temperatura e lartë dhe pa ndjenja, nëna nuk e ka duruar dot dhimbjen e madhe dhe ka vendosur që të ndahet edhe ajo nga kjo jetë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje në Kamzë të Tiranës, ku një nënë 35-vjeçare është gjetur e vetëvarur sot në shtëpinë e saj pasi ka gjetur fëmijën e saj pa jetë. Xhevahire Hoxha i ka dhënë fund jetës së saj duke marrë menjëherë vendimin tragjik të vetëvrasjes, pa e menduar dot më jetën pa fëmijën e saj. Nga të dhënat e para mësohet se arsyeja e vdekjes së djalit të saj është temperatura e lartë. Policia ka mbërritur në vendngjarje për të mësuar më shumë rreth rrethanave të kësaj ngjarje që ka tronditur edhe banorët përreth.
11 Prill 2009