E Diel, 1 Nëntor 2026

QKR: Sistemi elektronik i të dhënave nuk manipulohet nga njerëzit



Drejtori i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, Tom Kola, e ka konsideruar si tepër të sigurtë dhe të pamanipulueshëm rrjetin e të dhënave elektronike për bizneset që disponon qendra e tij. "QKR funksionon në bazë të sistemit elektronik, i konfiguruar në formë të tillë që çdo veprim pasqyrohet dhe ruhet me besnikëri dhe saktësi në memorien elektronike të regjistrimit të të gjitha veprimeve që kryhen në sportelet tona",- tha Kola.
Sipas tij, sistemi elektronik i QKR-së nuk mund të manipulohet nga njeriu dhe si pasojë e kësaj filozofie çdo dosje biznesi nuk mund të ndryshohet, fshihet, shtohet apo të pakësohet nga të dhënat. Drejtori i QKR-së i konsideroi gjithashtu të pavërteta akuzat për mosbashkëpunim institucional me Prokurorinë e Përgjithshme për dosjet e shoqërive në pronësi të Mihal Delijorgjit. QKR-ë, vijoi ai, ka vënë në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme gjithçka ka poseduar për personin në fjalë si për rastin kur është kërkuar informacion nga regjistri tregtar dhe për rastet kur është kërkuar sekuestrim i dosjeve.
"QKR-ë për të ndihmuar Prokurorinë e Përgjithshme i ka kthyer përgjigje kësaj të fundit në një periudhe kohe jo më shumë se gjashtë ditë kalendarike, pavarësisht se obligimi ligjor parashikon dyzetë ditë për kthim zyrtar të përgjigjeve. Kjo vërtetohet nga korrespondenca e QKR-së me Prokurorinë e Përgjithshme, e cila është e protokolluar në institucionin tonë",- përfundoi Kola.

11 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›