Pakistan, sulmohen automjetet që transportonin furnizime për trupat e NATO-s
Vazhdon të përshkallëzohet dhuna në Pakistan. Gjatë orëve të fundit janë sulmuar në provincën pakistaneze të Balucistanit disa automjete që transportonin furnizime për trupat e NATO-s në Afganistan. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja "The Nation". Dy nga makinat, saktëson gazeta, janë shkatërruar në Khuzdar dhe tre në Mangochar, por fatmirësisht gjatë sulmeve nuk ka patur viktima. Ndërkaq një kamikaz dyshohet se ka hedhur veten në erë para një objekti kulti të myslimanëve shiit në qytetin kryesor të rajonit Kashmir, deklaruan dëshmitarët.
Shpërthimi ndodhi në përfundim të një faljeje me rastin e festës së Ashures, ngjarja më e rëndësishme për myslimanët shiit. Një dëshmitar deklaroi se kishte parë pjesë trupi të shpërndara dhe besonte se i përkisnin atentatorit. Në të tjera zhvillime, si pasojë e një atentati me bomba në veriperëndim të Pakistanit, u vranë një zyrtar i qeverisë dhe pesë pjesëtarë të familjes së tij, bashkëshortja dhe katër fëmijët. Vendi i atentatit, Sada, ndodhet në afërsi të kufirit me Afganistanin. Autoritetet pakistaneze dyshojnë se atentati ka lidhje me ofensivën e ushtrisë pakistaneze kundër ekstremistëve islamistë në Vaziristanin jugor.