Iran, mbi 15 të vdekur nga trazirat
Lajmi u bë i ditur sot nga televizioni shtetëror iranian, që citon Ministrinë e Informimit. "Gjatë veprimeve të dyshimta, pesë persona janë vrarë nga grupe terroriste", njoftoi televizioni në një emision kushtuar manifestimeve të dhunshme të opozitës së presidentit Mahmud Ahmadinexhad dje në kryeqytetin iranian."Përveç kësaj, ministria njoftoi se më tepër se 10 anëtarë të njohur nga grupe terroriste antirevolucionare janë vrarë gjatë këtyre manifestimeve", shtoi televizioni pa dhënë hollësi të tjera.Faqja e internetit të opozitës njoftoi për pesë të vdekur, katër prej të cilëve me armë automatike gjatë trazirave të së dielës. Një komunikatë e policisë konfirmoi dje në mbrëmje shifrën prej pesë të vdekur, duke u shprehur se viktimat ishin vrarë në "kushte të dyshimta" dhe se është hapur një hetim.Pak më parë, zëvendësshefi i policisë iraniane, Ahmad Reza Radan, ka njoftuar për katër të vdekur, njëri prej të cilëve është një rast "i dyshimtë" me armë zjarri. Ai përgënjeshtroi që vdekjet të jenë të lidhura me represionin e manifestuesve nga forcat e rendit."Një nga viktimat vdiq duke rënë nga ura, dy të tjerë në një aksident me makinë dhe një tjetër u vra me armë zjarri", u shpreh Radan në televizion. "Meqë policia nuk përdori armë zjarri, për këtë rast të dyshimtë u hap një hetim", shtoi ai. Televizioni shtetëror iranian njoftoi fillimisht se gjatë përleshjeve mes manifestuesve dhe kundërmanifestuesve ka patur disa të vdekur dhe të plagosur nga të dyja palët, pa dhënë hollësi.