Pakistani ne zi per viktimat e avionit
Në Pakistan ka nisur zija për viktimat e avionit të rrëzuar ditën e premte në një zonë të banuar, në afërsi të aeroportit ndërkombëtar të Islamabadit. Homazhe jane mbajtur aty ku 121 pasagjerët dhe gjashtë anëtarët e ekuipazhit humbën jetën, pasi avioni i linjës “Bhoja Air jet” u përplas në tokë. Skuadrat e shpëtimit rifilluan kërkimet e tyre në rrënojat e avionit, në fshatin Husain Abad të shtunën në mëngjes dhe autoritetet konfirmojnë se nuk ka asnjë të mbijetuar. Autoritetet thonë se kutia e zezë e avionit është rekuperuar tashmë dhe do t’u dorëzohet autoriteteve për hetime . Avioni ishte duke iu afruar aeroportit të kryeqytetit kur papritur u rrëzua duke u përplasur në tokë. Fillimisht u raportua se kjo kishte ndodhur si pasojë e një rrufeje të shkaktuar nga moti i keq. Autoritetet deklaruan se trupat e viktimave po rekuperohen, por për momentin identifikimi i tyre është i pamundur për shkak të djegieve. Ministri i Brendshëm, Rehman Malik ka deklaruar se drejtuesit të kompanisë ajrore, “Bhoja Air”, i është ndaluar të largohet nga vendi përsa kohë hetimet janë në zhvillim e sipër. Linjat e brendshme ajrore në Pakistan në disa raporte ndërkombëtare, sidomos të agjencive të sigurisë ajrore, përshkruhen si “tejet të rrezikshme” për shkak të teknologjisë së vjetër që përdoret nga kompanitë operuese.