Breivik nuk është i vetëm

Gabimi më i madh të cilin mund ta bëjnë evropianët, të cilët po përcjellin procesin gjyqësor kundër Anders Behring Breivikut, është që t’i besojnë tiradave të tij kundër islamit apo kundër multi-kulturalizmit. Përkundrazi, ideologjia e Breivikut përmban të gjitha tiparet e diskursit potent islamofobik, i cili ka kapluar Evropën dhe botën, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Krimet e tmerrshme të Breivikut duhet të shërbejnë si thirrje për zgjim për evropianët dhe jo vetëm për evropianët, për të kuptuar potencialin për dhunë, të cilin e përmban në vete kjo ideologji.
Breiviku nuk është ndonjë risi, që vjen nga Norvegjia, por është një simbol i kulturës në rritje të krimeve me motive politike në gjithe kontinentin. Myslimanët janë sulmuar dhe vrarë, xhamitë dhe institucionet e tyre janë mbushur me grafite dhe janë sulmuar me bomba.
Ekspertët janë të mendimit se sulmet, të cilat kopjojnë ato të Breivikut, nuk mund të përjashtohen. Ç’është e vërteta, shërbimet e sigurisë nuk i kanë trajtuar me seriozitetin e duhur kërcënimet e së djathtës ekstreme, në veçanti të asaj me radikale me qëndrime anti-islamike.
Tani madje edhe demokratët e përbetuar evropianë kanë kapitulluar para islamofobisë, të paaftë për të trajtuar si duhet çështjen komplekse të islamit dhe të myslimanëve në Evropë. Vitin e kaluar, socialdemokratët danezë në opozitë mbështetën ashpërsimin e kërkesave të imigracionit për jo-perëndimoret, propozim ky i cili u shkrua dhe u mbështet nga Partia Popullore Daneze me qëndrime anti-islamike.
Ndalimi i perçes në Francë dhe Belgjikë gjeti mbështetje të ngjashme. Aktet e tilla vetëm sa stigmatizojnë ëshë më shumë myslimanët e Evropës dhe shkojnë në favor të kësaj gjenerate të re të së djathtës së Evropës, e cila në vete përfshin edhe ekstremistët si Breivik, të cilët janë të inspiruar nga argumentet e kësaj lëvizje.
Rrjeti ndërkombëtar i grupeve “kundër xhihadit” po përhapin shtrirjen dhe po forcojnë ndikimin e tyre, në bazë të një raporti të publikuar nga grupi britanik, Hope not Hate. Organizatat e ekstremit të djathtë po formojnë aleanca në gjithë Evropën dhe në SHBA, ka theksuar më tutje grupi, i cili ka dokumentuar 190 grupe, të cilat po promovojnë agjendën islamofobike.
Shkrimet e Breivikut, publikimet e tij në internet dhe deklaratat-si dhe ato të dhjetëra autorëve anti-islamik nga Evropa dhe Amerika e Veriut, të cilëve ai ju referohet-janë të mbushura përplot me fraza raciste anti-myslimane.
Sipas këndvështrimit dhe pikëpamjeve të tyre, vetëm format radikale të aksionit-dhuna, lufta dhe përleshjet deri në fundin e hidhur-mund të eliminojnë kërcënimin islam, shpjegon Mathew Goodwin, ekspert britanik për të djathtën ekstreme në Universitetin e Nottionghamit. Kjo lëvizje, shkroi Goodëin për gazetën The Guardian, kultivon besimin se ata janë të përfshirë në luftën për mbijetim racor apo kulturor, se opsionet ekzistuese politike nuk janë të afta që të reagojnë ndaj këtij kërcënimi, se kërkohet aksion radikal dhe i përbashkët, për të reaguar ndaj këtyre kërcënimeve për shoqërinë.
Në një studim të ri të Chatham House, në të cilin janë anketuar më shumë se 2 mijë ithtarë të grupeve të djathta radikale në Britani, zbuloi se shumë prej tyre e mbështesin dhunën, me bërthamën e brendshme armiqësore të tyre, të gatshmë për të përgatitur dhe për të ndërmarrë sulme. Autorët e studimit tërhoqën vërejtjen për rrezikun potencial, të cilin mund ta paraqesin ekstremistët e djathtë në Britani.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për aleatët e tyre në shtetet tjera në Evropë, me të cilët kanë lidhur aleancë.
Është e vërtetë se zërat e islamofobisë u heshtën përkohësisht, pas masakrës së kryer nga Breivik dhe ishte kjo një shenjë shpresëdhënëse se është mësuar leksioni për fuqinë e fjalëve dhe të urrejtjes. Por kjo heshtje nuk zgjati shumë. Pas akuzave kundër psikopatit Breivik, lëvizja kundër xhihadit u kthye, për të shpalosur me fuqishëm se asnjëherë më parë racizmin e saj anti-islamik. (Foreign Policy)