Francë, mbyllet fushata për zgjedhjet historike
Në Francë, mesnatën e mbrëmshme u mbyll fushata për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës, ku nuk pritet asnjë fitues.
Presidenti Nikolas Sarkozi e mbajti fjalimin e tij përfundimtar në Nicë. Deri tani, sondazhet janë kundër tij. Ndërsa Fransua Holande, kandidati socialist, u duk me më shumë vetëbesim. Pasi e mbylli fjalimin e tij të fundit, ai shëtiti mes njerëzve, qeshte dhe bisedonte me ta. Ai e quan veten si çdo francez tjetër i thjeshtë, një lider me të cilin Franca mund të ndjehet më e qetë se sa me Presidentin aktual hiperaktiv, Nikolas Sarkozi. Të gjitha sondazhet kanë treguar se ai do ta fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, i cili mbahet më 6 maj. Kjo konsiderohet fushata më e rëndësishme elektorale në Francë për dekada të tëra.
Dallimet
Dy kandidatët kryesorë ndryshojnë mbi pikëpamjet për krizën në eurozonë, ku Franca luan një rol drejtues së bashku me Gjermaninë. Linja më e fundit e sulmit për Sarkozinë është paralajmërimi se Holande do të shpenzojë shumë. Apeli i Fransua Holande ishte se ai ofrohet të shpëtojë ëndrrën franceze, të mbrojë mënyrën franceze të jetesës. Ekonomia në Francë ka rënë dhe kjo i ul pikë Sarkozisë, ndërsa papunësia është rritur në 10 për qind. Çështja kryesore e fushatës ka mbetur pikërisht papunësia. Presidenti Sarkozi beson se karta e tij më e mirë është testimi i krizës, që kundërshtari i tij kryesor nuk e ka kaluar kurrë në qeveri. Ai tha se ka ndihmuar eurozonën të kalojë krizën e saj më të keqe dhe po nxit kursimet në Francë. Por, sipas Fransua Holande, Franca nuk ka nevojë për masa të ashpra kursimi, por për një politikë të mirë rritjeje ekonomike.
Vlerësimet
Dy rivalët kryesorë, Sarkozi dhe Holande, janë rreth 10 pikë përpara kandidates së renditur në vend të tretë, Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë, sipas sondazheve të fundit për raundin e parë. Dhe ka një rezultat befasues për ekstremistin e krahut të majtë, Zhan-Luk Melenkon, i cili po sfidon Le Pen për vendin e tretë. Ndërsa kandidati i qendrës, Fransua Bayrou, mbetet në vendin e pestë. Pritet që Sarkozi dhe Holande të garojnë në raundin e 6 majit, në të cilin kandidati socialist ka një avantazh prej 7 deri në 14 pikë. Kjo do ti jepte Francës një kryetar shteti nga krahu i majtë politik për herë të parë në 17 vjet, në një kohë kur shqetësimet mbi borxhin në eurozonë kanë prekur edhe ekonominë numër dy të bllokut.
Sondazhet raundi i parë
Fransua Holande
29 për qind
Nikolas Sarkozi
25 për qind
Marine Le Pen
17 për qind
Zhan-Luk Melenchon 15 për qind
Fransua Bayrou
11.5 për qindPesë të tjerët janë nën 10 për qind
Programi i Marine Le Pen
Liderja e Frontit Nacional të Francës, Marine Le Pen, beson se Franca duhet të dalë nga monedha e përbashkët për të evituar rënie të mëtejshme nga kriza e euros. Le Pen deklaroi në tubimin e saj se ne nuk do tia dorëzojmë veten këtyre teknokratëve budallenj, duke iu referuar zyrtarëve evropianë, ndërsa shpallte planet për të tërhequr Francën nga eurozona, duke shtuar: Unë jam kandidatja e vetme e vendit. Le Pen pritet të fitojë 14 deri në 17 për qind të mbështetjes në raundin e parë.
Votimi dhe exit poll-et
Në të dyja raundet, qendrat e votimit hapen në orën 8:00 të mëngjesit deri në 18:00 të pasdites, në qytetet e mëdha deri në orën 20:00. Territoret franceze përtej detit do të votojnë një ditë më herët (sot), përfshirë edhe francezët që jetojnë në Amerikë. Sipas rregullave aktuale (që nga ligji i 1977-s), media franceze nuk lejohet të publikojë exit poll-e gjatë periudhës mes mesnatës të së premtes, që mbyllet fushata, deri kur të mbyllen qendrat e votimit, të dielën.